Interes i lartë për të vizituar shtëpinë e Kadaresë

30 Janar, 2024 - 4:30 pm

Muzeu në Gjirokastër zgjidhet jo vetëm nga vizitorët vendas, por edhe nga turistët e huaj.

“Muzeu Kadare mbetet një ndër muzetë më të frekuentuar për vizitorët e shumtë që vijnë në qytetin e Gjirokastrës.”

Ata që zgjedhin qytetin e Gjirokastrës nuk ikin pa vizituar shtëpinë e Ismail Kadaresë. Interesi këtë fundjavë ishte më i lartë nisur edhe nga fakti se të dielën shkrimtari festoi ditëlindjen e tij të 88. Vizitorët nuk janë vetëm vendas, por ka edhe turistë të huaj.

“Ka pasur edhe vizitorë rastësorë që kanë qenë në Gjirokastër ato ditë dhe kanë pasur mundësi pranë muzeut që të shohin dhe të marrin informacion më tepër sa i takon Kadaresë. Kur them vizitorë edhe të huaj, jo vetëm shqiptarë.”

Por çfarë shikojnë më shumë turistët në shtëpinë muze?

“Shumica e vizitorëve që vizitojnë Muzeun Kadare janë njohës të Ismail Kadaresë. Kanë lexuar të paktën një vepër të tij. Më tepër bazohen në romanin ‘Kronikë në Gur’ sepse edhe shtëpia karakterizohet nga ai roman. Ata duan të prekin nga afër ato objekte që Ismail Kadare ka përmendur tek “Kronikë në Gur” qoftë sfera e ujit, qoftë qilari apo vendstrehimi për shkak të bombardimeve për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe ato pak objekte origjinale që ne kemi në muze.”

Javën që shkoi me rastin e ditëlindjes së Ismail Kadaresë bashkia e qytetit kishte përgatitur një sërë aktivitetesh ndërsa në ambientet e shtëpisë u shfaqën edhe dy dokumentarë. / Klan News / KultPlus.com

Të ngjajshme