31 Tetor, 2022 - 5:30 pm
Nëse i hidhet një sy programeve vjetore të ministrive tona për kulturë, do të vërejmë se janë të përkrahur mijëra aktivitete kulturore të institucioneve nacionale, të produksioneve private, të ansambleve, të krijuesve, të artistëve të ndryshëm.
Thjesht, nuk ka ditë, nuk ka cep të trevave shqiptare ku nuk do të zhvillohet ndonjë aktivitet kulturor brenda ditës! Pa dyshim, ky numër kaq i madh i aktiviteteve nëpër programet vjetore edhe mund të dështojë, si pasojë e financimit të dobët, si pasojë e pasivizimit të pa arsyetuar i subjekteve juridike e fizike që merren me kulturë, art e krijimtari; si pasojë e mos-sigurimit të plus financave nga donatorë, si pasojë e rrethanave të paparashikuara.
Megjithatë, sërish ndodhin qindra e qindra aktivitete! Nga ana tjetër, opinioni i gjerë nuk ka mundësi të njoftohet me të gjitha këto aktivitet të përditshme, nuk është në gjendje që ta përcjellë dhe të informohet për jetën kulturore në trevat shqiptare. Fatkeqësisht, ndodhë që opinioni të mos informohet as për aktivitetet kulturore të institucioneve nacionale, sepse mungon interesimi i mas medias sonë për të qenë në të gjitha eventet profesionale apo amatore. Më e shumta, mund të publikohet ndonjë informacion se “do të mbahet” apo se “u mbajt” eventi! Për pasojë, na mungon pasqyra reale e jetës sonë kulturore, krijohet një opinion i shtrembëruar se ndër shqiptarët vetëm politika dhe, deri diku edhe sporti, zgjojnë interes kombëtar!
Ku është problemi? Pse informacioni mbi aktivitetet kulturore është aq i vakët, i thatë dhe i pakët? Ekziston një përshtypje e përgjithshme se ky problem shfaqet atëherë kur shkëputen raportet në mes pushtetit dhe mediave, atëherë kur pushteti nuk shpreh kurrfarë ndjeshmërie ndaj ngritjes profesionale të mediave nacionale, lokale e private! Pushteti duhet të insistojë tek çdo media për një balancë të përhershëm të programacionit apo të koncepteve redoktoriale të mediave të ndryshme. Licenca dhe leja për mediat të kushtëzohet edhe me hapësirën e merituar për kulturë, madje nën kulturë të mos llogariten fare këngët popullore të përmbledhura në çdo në kohëzgjatje prej dy-tri orëve. Hapësirat kulturore duhet të ngërthejnë aktivitete, probleme e trajtesa kulturore nga sfera të ndryshme të artit, të krijimtarisë, të gjuhësisë, antropologjisë etj.
Fare nuk duhet të pranohet justifikimi i mediave se kjo mungesë vjen si pasojë e mospasjes së kuadrit adekuat në ekipin gazetaresk. Kjo mungesë nuk mund të zgjasë me dekada, për më tepër kur në çdo qendër kemi universitete e fakultete të letërsisë, gjuhësisë, gazetarisë, kulturologjisë etj. Kuadri krijohet, ai duhet të angazhohet, atij duhet siguruar redaktor profesional, janë qindra profesorë e asistentë, janë qindra krijues e artistë, krijues të artit figurativ e të artit skenike. Është joseriozitet nga ana e medias që prej një gazetari të kërkojë që t’i mbulojë të gjitha fushat nga kultura, krijimtaria, arti. Në çdo media shqiptare duhet të funksionojë edhe redaksi e veçantë për kulturë, siç na janë stërmbushur për sport, përkatësisht për futboll dhe për jetën private të estradës.
Pra, qeveritë tona duhet të jenë më dorëshlirë dhe jo vetëm të kërkojnë programacion origjinal, madje të mos lejojë aktivitete të portaleve mediale, pa ofruar program për gjetjen dhe ngritjen e kuadrit profesional që do të merret me përcjelljen e aktiviteteve kulturore kombëtare. Nëpër agjencitë informative shtetërore të kërkohet me ngulm që të ketë redaksi e veçantë me dhjetëra gazetarë që do të jenë të specializuar për aktivitete kulturore si dhe për t’i shpërndarë gratis informacionet kulturore në çdo media e portal. E gjithë kjo, me ofertë reale nga ana e qeverisë për ta përkrahur financiarisht tërë këtë politikë kulturore të mediave shqiptare.
Shoqëria jonë po shteret në shpirt me do “përputhen” e “përqafen” me do “vëllai i madh” e “motra e vogël”, ndërkohë ka aq shumë nevojë të dëgjojë debat mbi baletin shqiptar, mbi muzikën klasike, mbi personalitetet tonë të shumtë nga lëmi i artit, krijimtarisë letrare dhe, përgjithësisht artistike. Me përjashtim të këndit “vitrina e librit”, kemi shumë pak hapësirë, apo fare, ku do të trajtoheshin probleme letrare, muzikore, muzeore, bibliotekare, arkivore, teatrale, folklorike, etnologjike etj. Mbi dukuritë dhe problemet e ndryshme kulturore duhet të flitet me kompetencë dhe profesionalizëm. Këtë interesim për kulturë dikush duhet ta ngjallë dhe ta kërkojë te mediat tona, institucionet kompetente shtetërore, duhet ta imponojnë si kush të parë për çdo media që dëshirojnë të funksionojnë si media nacionale, lokale, private në gjuhën shqipe. Është abuzim flagrant të përdoret shqipja vetëm për informim politik, futboll, për “përputhen” dhe jo për kulturë! Kuadri i redaksive kulturore të mediave tona, jo vetëm që do të informonte, por i ngritur në nivele profesionale, me kompetencë do të fliste për artin e krijimtarinë, duke ndikuar në ngritje të shijeve në të tjera nivele, duke e ndarë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara! Për shembull, në Kosovë, viteve ’80 të shekullit të kaluar, shitjen e librit brenda jave, apo shitjen brenda jave të audio-kasetave e diktonte recensioni profesional i krijuesit dhe kritikut letrar, Ramadan Musliu, përkatësisht i kompozitorit dhe kritikut muzikor, Sami Piraj, gazetarë të “Rilindjes”./HEJZA/ KultPlus.com