Intervista ekskluzive e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë

11 Nëntor, 2020 - 9:32 am

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 18 gushtit 1955, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Zog i Shqipërisë ëndërron të rimarrë fronin e tij

Në vilën e tyre në Kanë, Madhëria e Tij Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha gjen sërish rininë e saj këtu : ajo u rrit në Nisë. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Côte d’Azur
Në një vilë të vjetër në Kanë
(Nga korrespondenti ynë Francis RICO.)

Një vilë me mure ngjyrë gri, të çara, kopshti i harlisur i së cilës nuk është mirëmbajtur prej kohësh : këtu qëndron mbreti Zog i Shqipërisë, i cili sapo ka mbërritur në Kanë me mbretëreshën Geraldinë.

 E ndërtuar në vitin 1900 gjatë kohës së “Dukave të Mëdhenj”, me një luks të frëngjive prej llaçi, shtëpia, pavarësisht sallonit së saj të madh të jetesës me tavan të pikturuar, është e trishtë dhe mban erën karakteristike të shtëpive të vjetra të pabanuara.

Para derës, të ulur në rreth, në kolltukët e kohës së Mbretëreshës Victoria, disa burra të gjatë, besnikët e fundit të sovranit të rrëzuar nga froni, bisedojnë në pritje të ditëve më të mira.

Ata flasin me njëri-tjetrin me zë të ulët, ose përdorin tespihe të bëra nga rruaza të mëdha me ngjyra.

 Kush janë ata ? Ish-zyrtarë të lartë, oficerë, magjistratë, të humbur në anonimitetin e xhaketës (kostumit) evropiane…

 Ata ruajnë mbretin që rrallë e shohin, vëzhgojnë daljen e mbretëreshës ose të princeshave, motrave të Zogut, vëzhgojnë lëvizjet e të madhit, Leka Skënderbeut, i cili ecën në fund të parkut ndërsa shikon majat e selvive.

 Përreth, Kana shkëlqen plot shëndet. Vilat, me qepenet e hapura, shfaqin pamjen e pushimeve, të gëzimit, diellit, pasurisë.

 Në sfond, deti është i mbushur me varka me vela ose i shqyer nga skiatorët detarë.

 Nga dritarja e sallonit të madh shohim çatitë e pallateve (vilave) të mbuluara me flamuj që valëviten nga era dhe Palm Beach Casino shfaq arkitekturën e saj të çuditshme orientale si një xhami e humbur në brigjet e largëta të Mesdheut.

 Mbreti më priti në orën e premtuar. Ai është ulur në një divan të madh që e bën më të hollë figurën e tij të dobësuar. Zog I ngrihet për të më dhënë dorën.

 “— Jam i lumtur, tha ai, që po pres një francez. Ne e duam aq shumë Francën, e cila na ka dashur aq shumë.”

 Sekretari i tij privat shtrin një tabaka me cigare “bjonde” të Régie française. Zog I, i cili vazhdon të pijë duhan pavarësisht ndalimit nga mjekët e tij, ndez një cigare tjetër fill pas asaj që sapo mbaroi. Nuk e kisha parë që nga një intervistë që ai më dha në vitin 1939 në Versajë, ku ishte strehuar pas pushtimi të Tiranës nga Musolini.

 “— Lartmadhëri, më në fund, u mor haku juaj ndaj italianëve ?”

 Një buzëqeshje e zbehtë nën mustaqet e tij të famshme si një oficer kalorësie ballkanike.

 “— Plot ngjarje që atëherë, psherëtiu ai. Pashkët e vitit 1939 ishin fillimi i luftës botërore. Por si mund ta dinim ?”

Një mbretëreshë e buzëqeshur

 Mbretëresha Geraldinë shfaqet me një fustan të freskët, modest dhe pranveror; një gjerdan margaritar i imët për çdo stoli. Ajo është e gjatë, e hollë, e qeshur. Papritmas, salloni i vjetër ndriçon.

Ajo flet frëngjisht hyjnisht me një theks këndues. Ajo është me origjinë hungareze. Por ka udhëtuar kaq shumë! 

“— Unë gjej këtu rininë time, thotë ajo, në këtë vend kaq blu dhe kaq të bukur. A e dini se kam studiuar në liceun e Nisës dhe në një shkollë angleze ?”

 Ndërsa e pyes nëse i pëlqen të dalë, të shohë koleksione, të shkojë në kazino, buzëqeshja e saj ngrin :

 “— Mbreti është i sëmurë; Ai ka nevojë për pushim, përgjigjet ajo. Çfarë do të bëj vetëm, në një gala ? Çfarë do të bëja pa të ?”

 Zogu e shikon me butësi. Ai rrëshqet dorën e tij mbi të sajën. Buzët e tij pëshpëritin një falënderim.

 “— Unë duhet të shkoj në Paris, vazhdon ai, të konsultohem me autoritetet tuaja mjekësore. Shëndeti im është i brishtë dhe duhet të kursej veten time, sepse do të doja të përkushtoja pjesën tjetër të forcës time në shpëtimin e vendit tim.”

 “— Lartmadhëri, a mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri ?”

 Fytyra e tij ngrihet. Toni i zërit të tij ngurtësohet. Sekretari më në fund e përkthen përgjigjen.

 “— Nëse fuqitë e mëdha bien dakord për ribashkimin e Gjermanisë, deklaron mbreti, atëherë do të vijë dita kur disa shtete do të thirren të shpallin, nëpërmjet plebishiteve të lira, qëllimet dhe dëshirat e tyre për qeveri. Shqipëria si të tjerët do të jetë në gjendje të shprehë vullnetin e saj.”

 Dëgjojmë këmbanën e një kapele (kishe) aty pranë që na jep sinjalin se është ora dymbëdhjetë e mesditës. Dielli është tashmë në pikun e tij. Geraldina përkulet për të parë “Croisette-n” të mbushur plot me njerëz. Është kënaqësi të qëndrosh nën hijen e freskët. Mbretëresha merr dorën e mbretit dhe të dy hyjnë në kopsht, midis dafinave dhe trëndafilave.

 “— Ditë të mbarë, zotëri !”, tha Zogu I, duke ndezur një cigare tjetër.

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1955-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-vilen-e-tyre-ne-kane-qellimet-e-mbretit-dhe-kujdesi-i-geraldines-per-shendetin-e-tij/

Të ngjajshme