8 Korrik, 2024 - 1:54 pm
“MIK Festival” vjen së shpejt me edicionin e shtatë te tij, me një program të pasur artistik. Festivali muzikor i themeluar nga sopranoja e njohur Inva Mula nis më 11 korrik në Korçë, ku do të bëjë bashkë artistë të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë.
Një nga pikat e forta të këtij edicioni do të jetë opereta shqiptare “Agimi”. Me festivalin rikthehet pas 70 vitesh në qytetin e Korçës opereta e parë skenike “Agimi”.
MIK Festival tashmë ka krijuar traditë në një qytet si Korça, ku kultura është shumë e rëndësishme. Do të jenë katër mbrëmje të dedikuara për të përcjellë tek publiku muzikën e kultivuar dhe emrat më në zë të skenës lirike. Festivali nis nga teatri “Andon Zako Çajupi” me “Udhëtim artistik me pianistin dhe muzikologun Red Radoja”, me “Nën tingujt e trios nga Maqedonia e Veriut”, që vijnë Dëshira Ahmeti soprano, George Petrushevski në oboe dhe Jordan Petrushevki në piano.
Më 12 korrik po te teatri i Korçës do të jetë opereta me 3 akte, “Agimi”, me muzikë nga Kristo Kono, libreti nga Kol Jakova, regjia Inva Mula, dirigjente Suzana Turku, koreografia Bardhi Pojani.
Më 13 korrik vjen tek Poli i Jugut në Drenovë koncerti gala “Inva e Friends” që prezanton romantikët e muzikës franceze. Nën dirigjimin e maestros Jean Michel Ferran, të ftuar janë Blerta Zhegu, Ramona Tullumani, Dëshira Ahmeti, Simona Karafili, Gjergji Mani, Ionela Mani, Igli Tuta.
Më 14 korrik festivali MIK do të zhvendoset në oborrin e kishës së Shën Kollit në Voskopojë, me një tjetër aktivitet./atsh/KultPlus.com