9 Shkurt, 2023 - 6:01 pm
Komentet e bëra nga Roger Waters, bashkëthemelues i grupit legjendar të rokut Pink Floyd, u kritikuan ashpër nga Ukraina, më 8 shkurt, pasi muzikanti britanik i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se agresioni i Rusisë ndaj fqinjit të saj “nuk ishte i paprovokuar”.
Ambasadori i Moskës në OKB e ftoi Waters, 79 vjeç, të fliste në një takim të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar dërgimin e armëve në Ukrainë.
Waters ka ngjallur edhe më parë polemika me qëndrimin e tij për luftën, duke thënë se Perëndimi duhet të ndalojë ofrimin e armëve për Kievin.
Ish-basisti i Pink Floyd i tha Këshillit të Sigurimit se pushtimi i Ukrainës ishte i paligjshëm dhe ai e dënon atë “në mënyrën më të fortë të mundshme”. Por ai la të kuptohej se fajin e kishte edhe Kievi.
“Gjithashtu, pushtimi rus i Ukrainës nuk ishte i paprovokuar. Kështu që unë dënoj edhe provokuesit”, tha ai, duke iu drejtuar Këshillit nëpërmjet një video-lidhjeje.
“E vetmja mënyrë e arsyeshme e veprimit sot është thirrja për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë”, shtoi Waters.
Ambasadori ukrainas në OKB, Serhiy Kyslytsya, u përgjigj duke iu referuar teksteve të një prej këngëve më të famshme të Pink Floyd, “Another Brick in the Wall” (në shqip: Veç një tjetër tullë në mur) të lansuar në vitin 1979.
“Sa e trishtë për ish-adhuruesit e tij që e shohin atë duke pranuar rolin e veç një tulle në mur, një mur i dezinformimit dhe propagandës ruse”, tha Kyslytsya.
Zëvendës ambasadori i SHBA-së në OKB, Richard Mills, pranoi “kredencialet mbresëlënëse të Waters-it si artist”, por tha se kualifikimet e tij për të folur mbi kontrollin e armëve ose çështjet e sigurisë evropiane ishin “jo aq të shquara”.
Ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, i tha Këshillit se Waters ishte “me fat që ishte në Nju Jork”, ku ai mund të thoshte mendimin e tij, “përfshirë për agresionin rus dhe sa e gabuar është kjo”.
Hoxha tha se nëse do të kishte qenë në Rusi, “me ato që tha, ai mund të përfundonte në paraburgim deri tani”.
Waters shkaktoi reagime në shtator kur shkroi një letër të hapur duke thënë se Perëndimi duhet të ndalojë ofrimin e armëve për Kievin, duke akuzuar presidentin Volodymyr Zelensky për lejimin e “nacionalizmit ekstrem” në Ukrainë dhe duke i kërkuar atij “t’i japë fund kësaj lufte vdekjeprurëse”.
Ai u shpall më pas persona non grata nga qyteti polak i Krakovit dhe koncertet e tij u anuluan atje. /REL/ KultPlus.com