19 Korrik, 2023 - 4:10 pm
Ekspertët e CHwB Albania dhe Fondazione Santagata for the Economics of Culture, kanë diskutuar së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti mbi ruajtjen dhe rijetësimin e ish-Burgut të Spaçit, monument kulture i kategorisë II.
Synimi është për ta kthyer ish-burgun në një destinacion kulturor dhe turistik, që flet për të shkuarën, por edhe të ardhmen; një qendër kujtese dhe dialogu mes brezash, që i ka munguar asaj zone e që do të ndikojë edhe në zhvillimin social-ekonomik të saj.
Diskutimi mes ekspertëve u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Kulturës.
Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore i llojit “Arkitekture”. I hapur në 1968-ën, ai ka funksionuar deri në vitin 1988. Sipas të dhënave në Spaç kanë vuajtur dënimin mbi 1000 të burgosur politikë, të cilët shfrytëzoheshin për të punuar në miniera./atsh/KultPlus.com