Ish-komandanti i KFOR-it: Sulmi në Banjskë ishte terrorist, të përfshira në të edhe institucionet e Serbisë

10 Prill, 2024 - 11:20 pm

Gjenerali Erhard Buhler, i cili për një vit ishte komandant i KFOR-it, vazhdon të monitorojë situatën në Kosovë, veçanërisht situatën e sigurisë.

Ai ka komentuar sulmin terrorist në manastirin në fshatin Banjskë, i cili u krye para disa muajsh nga një grup i armatosur nga Serbia dhe deklaratën e fundit të ministrit të Brendshëm të Kosovës, rreth asaj se si kanë informacione se rreth dyqind veta nga Serbia janë të armatosur dhe të gatshëm për një lloj sulmi në Kosovë.

“Ajo pjesë e Evropës, jo vetëm Kosova, u destabilizua pas fillimit të luftës ruso-ukrainase. Sulmi në manastirin në fshatin Banjskë ishte padyshim një sulm terrorist. Me sa di dhe mund të gjykoj, nuk është e mundur që ata ta kenë kryer sulmin vetëm. Disa institucione të forcave të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira. Të paktën ata e dinin për sulmin dhe e mbështetën atë. Ndryshe, nuk mund të ushtrohen në terrenin zyrtar të forcave serbe. (…) Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta”, tha Buhler në një intervistë për televizionin publik kroat, HRT, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me kërcënimin e ri, ai tha se nuk ka informacione të tilla që me siguri kanë shërbimet e inteligjencës.

“Kosova është në pozitë shumë të mirë. Në Kosovë ka forca ushtarake me mandat të Këshillit të Sigurimit. Ata shqetësohen për sigurinë e Kosovës. Asnjë vendim nuk duhet të merret, asnjë konsultim për nenin e 5-të, nuk keni nevojë për ndonjë vendim. Paqeruajtësit janë tashmë atje. Janë 6000 ushtarë nga vendet tona: nga Kroacia, Gjermania, ShBA, etj. Nëse e dimë këtë, nuk ka arsye të vazhdojmë me atë retorikë luftarake, nga të dyja palët”, tha ish-komandanti i KFOR-it.

Ai shtoi se nuk është e pranueshme që të përkrahet një grup terrorist dhe as që është e pranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovën dhe të kërcënojë Kosovën.

“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Por gjithashtu nuk është e nevojshme të flitet vazhdimisht për luftë. Është një pengesë në zhvillimin e të gjithë rajonit. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës”, tha Gjenerali gjerman, Erhard Buhler. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Të ngjajshme