Ismail Kadare, krijimtaria e pasur e tij përgjatë viteve

1 Korrik, 2024 - 9:43 am

Ismail Kadare, ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër dhe vdiç mëngjesin e sotëm, më 1 korrik 2024, në moshën 88 vjeçare. Ai u lind në një familje bektashie qytetare, biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes. Emrin ia dhanë në kujtim të gjyshit. Kadare pati një motër Kadrijën dhe një vëlla Shahinin. Si i vogël ai kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga nëna, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. Kadare është martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, dhe kanë dy vajza, Gresën dhe Besianën

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-1958) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.

Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri, Kadare, Agolli dhe Arapi kulminoi në një mbledhje të shkrimtarëve të të dy brezave në vitin 1961, ku ishte i pranishëm dhe vetë Enveri.

Pas kthimit nga Moska, veprën Qyteti pa reklama e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin Ditë kafenesh më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente. Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.

Në vjeshtën e 1980 vizitoi Kosovën me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë. U prit institucionalisht dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë të Kosovës dhe u njoh me preokupimet e shqiptarëve.

Vitet 1981-1982 situata u bë e nderë, edhe për shkak të dëshmive që dhanë në hetuesi familjarët dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit që u gjet i vdekur, Kadaresë po i përflitej akuza për sabotazh të Partisë në letërsi, art, kulturë dhe pjesëtar i grupit të Shehut. Në një mbledhje të fshehtë të shtatorit 1982, Hoxha e përmend si pjesë të një grupit të Lubonjës dhe Paçramit.

Në vitin 1989 autoritetet e caktuan zv/kryetar të Frontit Demokratik. Duke shfrytëzuar famën e tij në Shqipëri dhe jashtë saj bëri deklarata gjithnjë e më të zëshme mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. 

Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.

Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, në poezi, prozë e romane. Ai është marrë edhe me dramaturgji dhe përkthime. Kadare ka filluar të shkruajë në moshë shumë të re, duke filluar me poezi, dhe më pas ka vazhduar me prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Romanet:

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970). Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). Më 1981 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinen, së bashku me dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave në trajtë novelash. Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, por shpejt e vunë re atmosfera e frikës, arrestimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë komuniste.

Përkthimet:

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun, etj

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve “Man Booker Internacional” më 2005, “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Ndër vite ka deklaruar se ka hequr dorë nga shkrimi i poezive (1997) dhe letërsisë artistike (2011).

Kadare njihet si shkrimtar që ka marrë shumë mirënjohje dhe çmime ndërkombëtare, për disa vite me radhë.

Mirënjohjet ndërkombëtare

  • Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë,
  • Prix mondial Cino Del Duca, Francë, 1992
  • Çmimi “Bokaçio” Itali, 1997
  • Herder Prize, Gjermani, 1998
  • Ovid Prize, Rumani 2003
  • Çmimi Man Booker International, Britani, 2005
  • Princi i Asturias për Letërsinë, Spanjë, 2009
  • Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010
  • Çmimi Jeruzalem, Izrael, 2015
  • Commandeur de la Légion d’Honneur (C. LH), Franë, 2016
  • Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017
  • Çmimi “Nonino”. Itali, 2018
  • Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018
  • Çmimi Park Kyong-ni, Korea e Jugut, 2019
  • Neustadt International Prize, SHBA, 2020
  • Prozart, Maqedoni e Veriut, 2020/KultPlus.com

Të ngjajshme