Ismail Kadare, “Qytetar Nderi” i Fushë Kosovës: Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time

8 Qershor, 2023 - 3:33 pm

Shkrimtari shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare, është shpallur “Qytetar Nderi i Fushë Kosovës” nga Kuvendi Komunal dhe kryetari i Komunës Burim Berisha.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt sot në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” ku i pranishëm ishte edhe vetë shkrimtari.

Pasi ju dorëzua certifikata “Qytetar Nderi” nga kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, Kadare është shprehur falënderues ndaj këtij nderimi.

“Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”, është shprehur Kadare.

Kadareja ka tre ditë që po qëndron në Kosovë pasi erdhi si i ftuar nderi në Panairin e Librit “Prishtina 2023”. / KultPlus.com

Të ngjajshme