4 Mars, 2025 - 8:37 pm
Bukuria e traditës shqiptare shkëlqeu në panairin ndërkombëtar të turizmit “ITB Berlin 2025” përmes artit bashkëkohor të realizuar nga Immersive MA dhe Space 05.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga prezantimi i traditës shqiptare në këtë panair.
“MEKI, së bashku me EU4Innovation, pati kënaqësinë të prezantonte para botës kryeveprat Motra Tone, Malësorja pa Emër dhe Bukuroshja e Durrësit përmes një shfaqjeje spektakolare imersive. “Urban Tapestry: Fashion Across City Layers” solli një rrëfim vizual magjepsës mbi evolucionin arkitekturor të Tiranës dhe ndikimin e tij në modën dhe dizajnin bashkëkohor shqiptar”, shkruan Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “bashkimi i traditës me modernitetin, gjithëpërfshirjes me inovacionin i dha ngjyra dhe energji unike prezantimit shqiptar në ITB Berlin”.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po prezanton buqetën e ofertave turistike të vendit në panairin ITB Berlin 2025, me evente që do zgjasin deri më 6 mars.
Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.