6 Mars, 2025 - 3:32 pm
Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025, kalendarin digjital të aktiviteteve turistike dhe kulturore të Shqipërisë, TEA.
Në një postim në rrjetet sociale AKT ndau pamje nga prezantimi i TEA-s, i cili është krijuar që prej qershorit 2023 dhe është një mundësi e mirë, që turistët të njihen me të gjitha dimensionet e ofertës turistike të vendit tonë.
“Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e këtij aplikacioni për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë sepse nxjerr në pah jo vetëm bukuritë natyrore, kulturore dhe shërbimet esenciale që ajo ofron por dhe rëndësinë dhe kontributin që ky aplikacion sjell për një turizmin e qëndrueshëm dhe jetëgjatë”, thekson AKT.
Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike, është një shembull i shkëlqyer se si teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.
Që nga prezantimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj./atsh/KultPlus.com