ITB Berlin, artistët e Ansamblit Popullor përgatiten për shfaqjen hapëse të panairit

26 Shkurt, 2025 - 6:18 pm

Në panairin global të turizmit në Berlin, shfaqja e madhe e hapjes do t’i kushtohet Shqipërisë. Artistët e Ansamblit Popullor të TKOBAP-së po përgatiten të prezantojnë trashëgiminë e pasur kulturore e shpirtërore shqiptare, së bashku me maestro Endri Sinën.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, publikoi në rrjetet sociale foto nga takimi i saj me artistët e Ansamblit Popullor, pak ditë përpara panairit ITB Berlin, i cili do të jetë një super-promovim për Shqipërinë turistike.

Në panair do të prezantohen përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar.

Në ITB Berlin do të jenë 190 vende pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozues. Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Pjesë e panairit do të jetë Riviera si dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme