28 Prill, 2022 - 12:30 pm
Nga Sahide Brati
Të rinjtë e Kosovës për gjetjen e një pune ose që të kenë një jetë të siguruar, nuk kanë një mundësi të garantuar. Kur zhvillimet ekonomike dhe politike në vendin e tyre nuk ecin siç duhet, shumë nga të rinjtë joshen nga ideja që të lënë përkohësisht vendin e tyre për një edukim më të mirë dhe një karrierë profesionale në vendet më të zhvilluara.
Gjenerata e re në Kosovë është ambicioze dhe ka pritshmëri të larta për të ardhmen e saj, por atyre shpesh iu mohohet mundësia për të marrë pjesë në trajnime, në vizita studimore, në panaire, dhe në universitete ku do të përfitonin njohuri të rëndësishme. Për të gjitha këto iu duhet një vizë të cilën ka raste të shumta që edhe nuk mund ta marrin. Shëtitja nëpër ambasada, është e mundimshme, ka kosto dhe shpesh me rezultat negativ.
Fluturesa Kryeziu, është studente e gjuhës gjermane, e cila ka përfunduar një semestër në Gjermani në Universitetin Philipps. Ajo thotë se procesi i vizës nuk ishte i ndërlikuar për të dhe të tjerët ia lehtësuan atë.
“Për t’u pajisur me një vizë dhe për shmangien e një vonese afatgjate të saj, është shumë me rëndësi që dokumentet të cilat na kërkohen nga ambasada në fjalë, të jenë të gjitha dhe në gjendje të rregullt. Sigurisht se nga ndihma e personave përkatës, si dhe nga profesorët tanë, procedura për aplikimin e vizës, për mua nuk ishte fare e ndërlikuar dhe ishte shumë më e thjeshtë nga si e mendoja unë“, tha ajo.
Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe dorëzimit të dokumenteve ajo priste me padurim për përgjigjen.
“Pas 1 muaji e një jave më është dorëzuar viza. Mirëpo edhe pse pritja nuk ishte shumë e shkurtër, përgjigjja pozitive ishte mjaft emocionuese dhe më në fund pas çdo përpjekje dhe mundi që kisha bërë deri në atë kohë, në fund kam marrë shpërblimin e saj”, tregoi ajo.
Studimin jashtë vendit për një semestër e cilëson të veçantë. Përveç bukurisë së vendit, kulturës së vendit, ajo thekson edhe krijimin e shoqërisë së re nga vende të ndryshme të botës.
Në vendin drejt të cilit ajo ka udhëtuar shprehet se e ka tërhequr kultura tradicionale, një vend modern ku tregon se edhe njerëzit ishin të sjellshëm dhe aspak paragjykues.
Shkaku situatës me pandeminë ajo nuk kishte mundësi të merrte pjesë në ndonjë punëtori për zhvillimin personal përveç në Universitet.
“Për shkak se COVID-19 na kishte kufizuar shumë mundësi të reja, Universiteti prapë arriti të na mundësoj disa përvoja të reja të cilat ishin të jashtëzakonshme për ne. Neve na janë mbajtur disa seminare trajnimi për mësuesit e gjuhës gjermane ku kishim drejt te zgjedhim edhe nivelin arsimor, si: arsimin fillor, të mesëm, universitar dhe arsimin e të rriturve për trajnerë”, tha Kryeziu.
Tutje, ajo shton se ata kanë mbajtur disa trajnime që kishin të bëjnë me gjuhën dhe organizime të tjera.
“Gjithashtu neve na është ofruar edhe trajnim gjuhësor e posaçërisht për mësuesit e gjuhës gjermane. Gjithashtu gjatë sezonës së verës kishim disa organizime në Universitet nga profesorët tanë, si: organizime bisedash, këshillime, prezantime dhe forma të tjera veprimi”, tha studentja.
Kryeziu e përshkruan këtë eksperiencë si unike.
“Studimi jashtë vendit është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Kjo mundësi ka ndryshuar jetën time për mirë dhe ka formësuar shumë mënyrën se si mendoj për disa aspekte të jetës”, thotë ajo.
Ideja për të kaluar disa muaj larg shtëpisë dukej frikësuese në fillim për të, por asaj nuk iu desh shumë kohë që të mësohej me jetën larg shtëpisë. Ajo thotë që brenda pak kohe, pati mundësinë të udhëtoj në disa shtete të Evropës, por edhe të jetoj në një nga qytetet më të zhvilluara në botë.
Po ashtu, shprehet mirënjohëse për këtë përvojë dhe entuziaste nëse do t‘i ofrohej përsëri diçka e tillë.
“Mësova shumë për botën në përgjithësi, takova shumë njerëz dhe bëra miq të përjetshëm. Do të jem përgjithmonë mirënjohëse që pata mundësinë të studioj jashtë vendit. Dhe sigurisht, po ta kem mundësinë të përjetoj edhe njëherë këtë eksperiencë do të pranoja pa menduar dy herë”, shtoi ajo.
Ndërsa, A.S, aplikoi në Ambasadë të Zvicrës për vizë ngase ishte e ftuar në një konferencë nga një Industri Botërore e Bioteknologjisë.
“Unë do të udhëtoja në Zvicër për një Konferencë Ndërkombëtare” Future X Healthcare 2019”, ku isha e ftuar si studente nga kompania Roche (Industri Botërore e Bioteknologjisë), kompania është zvicerane ndërsa konferenca mbahej në Munich të Gjermanisë”, tha ajo.
Vizita thotë se kishte për qëllim pjesëmarrjen në konferencë mirëpo edhe disa takime në Zvicër me kompaninë në lidhje me një projekt startup të saj si studente.
“Sa i përket entuziazmit, nuk e mohoj që e prisja me padurim pasi që kisha tentuar gjatë verës të shkoja si studente në këtë kompani për të bërë intership dhe nuk u realizua pasi mungonin disa dokumente në UP që i kërkonte kompania për këtë çështje. Kur më ftuan në konferencë, isha shumë e lumtur sepse do të mund të shihja ekosistemin e këtij gjiganti botëror në këtë fushë dhe punën që bëjnë këto lloj industrish”, rrëfen ajo.
Procesi i aplikimit tregon se ishte shumë i lodhshëm dhe me kosto të lartë për buxhetin e studentit, por procedura e aplikimit ishte në rregull sa i përket respektimit të ligjit dhe nuk kishte vonesa.
Tutje, ajo tregon se viza iu refuzua dhe se cilat ishin shkaqet.
“Arsyeja e refuzimit në fillim nuk ishte fare e qartë, por kur njoftova organizatorin e konferencës, dhe e njoftova që më është refuzuar viza ai më shkruajti një email që t’i drejtohem ambasadës, dhe ta kuptoja pse ma refuzuan vizën, sepse sipas tij, ishte e pakuptimtë dhe e padrejtë. Unë shkova në ambasadë për ta dërguar këtë ankesë, personalisht dhe kërkova detaje për refuzimin e vizës, ata e lexuan dhe arsyeja ishte pasi konferenca mbahet në Gjermani nuk më ishte lejuar viza zvicerane edhe pse kompania Roche është zvicerane dhe më kishte dërguar ftesën në Ambasadë të Zvicrës, ku pas konferencës do të shkoja edhe atje”, tha ajo.
Studentja tregon se tek ajo, kjo ngjarje ndikoi mjaft pasi kishte bërë shumë mund e përkushtim që të merrte një ftesë nga ky Institut Shkencor.
“U ndjeva shumë e izoluar si një vajzë e re, me ambicie në fushën e shkencës, në shtetin tim dhe nga shteti ku doja të shkoja për këtë qëllim”, tha ajo.
A.S thotë se në atë periudhë e kishe kuptuar se sa shumë çështjet politike të vendit të saj me shtetet Evropiane kishin ndikim dhe pengesë në rrugëtimin e saj. Ndërkaq shton se për shtetasit e tjerë të ri si ajo nuk ekzistojnë pengesa të tilla.
Ajo mendon të aplikoj përsëri për vizë kurdo që të ketë mundësi.
“Nëse bëhet liberalizimi i vizave padyshim që do të udhëtoja prapë ndoshta do të ishte mirë ta kisha këtë të drejtë unë si një vajzë e re që jetoj në Evropë. Nëse nuk ndodh liberalizimi unë prapë do të provoj të aplikoj për vizë kur do të kem nevojë të udhëtoj për qëllime akademike apo si turiste. Arsyeja është e njëjtë, pra për vazhdim të studimeve, hulumtime shkencore, pse jo edhe si turiste”, shprehet ajo.
Hulumtimet e shumta të realizuara në vende të ndryshme të botës tregojnë se studentët që kanë mundësi të përfitojnë eksperienca profesionale kudo në botë aftësohen në shumë fusha të jetës e përmirësimi i notës mesatare është më e pakta që mund ta arrijnë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, madje ka disa vite.
Por, sipas saj, kjo është padrejtësi që po i bëhet Kosovës, ngase asaj i janë përcaktuar kushte për plotësim më shumë se të gjitha vendet që tashmë e kanë të zgjidhur këtë problem.
“Kosova është vendi më pro-evropian e jemi vendi i vetëm i izoluar në regjion. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian veç e kanë votuar këtë çështje. Tashmë kjo çështje nuk është në dorën e Kosovës, por është padrejtësi e Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Evropa duhet të reflektoj e duhet të vendos pro liberalizimit të vizave“, tha ajo.
Deputetja, shprehet se nuk ka statistika se sa lëvizin të rinjtë në vendet e BE-së, derisa thekson se këtë proces po e vështirësojnë edhe pritjet e gjata për termine.
“Po ekziston mënyra që studentët po aplikojnë individualisht për bursa dhe ata që fitojnë bursa po gjejnë edhe mundësinë e marrjes së vizave nga vendet ku kanë fituar bursë. Duke marrë parasysh edhe situatën me pandemi edhe më shumë janë vështirësuar edhe afatet për marrje termin, por edhe marrje të vizave, sepse shumica e vendeve janë izoluar! Prapë po e potencoj kjo është padrejtësi që po na bëhet!”, deklaroi Kadrijaj.
Ndërkaq, sociologu Labinot Kunushevci, shpjegon se si ndikon izolimi shtetëror në aspektin socio-kulturor.
“Duke qenë se 60% e strukturës së popullsisë në Kosovë është nën moshën 25 vjeçare, kjo flet për potencialin demografik, profesional, moral e human të shoqërisë në Kosovë. Se si ndikon izolimi në aspektin socio-kulturor, kjo mund të shpjegohet me realitetin e frustrimit social sepse izolimi nxitë frustrim social i cili e shndërron energjinë dhe potencialin e rinisë në fenomene dhe dukuri përmbysëse në aspektin vleror dhe të kontributit publik“, tha ai.
Më tej, ai tregon se sa sjell dekurajim kjo çështje dhe si ndikon tek të rinjtë.
“Të rinjtë e izoluar, me mungesë perspektive, të pa integruar, të përjashtuar, janë më të prirur për reagime apo veprime radikale. Të rinjtë me ambicie të larta profesionale ndjehen të zhgënjyer, me pritshmëri që shndërrohen në iluzione, me barriera të patejkalueshme, të dekurajuar, sepse nuk trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme nga Evropa Perëndimore përmes regjimit të vizave“, thotë ai.
Nëse do të bëhej liberalizimi i vizave, njohësi i sociologjisë, numëron ndryshimet që do të ndodhnin.
“Liberalizimi i vizave do të ndikonte në thyerjen e iluzioneve, në krijimin e kontakteve, në avansime profesionale, në integrimin e të rinjve në tregun perëndimor të punës, në krijimin e përvojave të reja, do ta bënte shoqërinë më të hapur, duke e pa një botë tjetër të suksesit, me shembuj të mirë të edukimit, disiplinës, kulturës së punës, etj”, shtoi Kunushevci.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Kosova përmes Kuvendit, ka miratuar një gamë të gjerë të ligjeve të domosdoshme për një shtet normal dhe me demokraci të zhvilluar.
Ata thonë se ky vend ka një infrastrukturë të kompletuar ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në këtë aspekt Kosova nuk dallon aspak nga vendet e rajonit, kurse, në disa fusha, si mbrojtja e minoriteteve qëndron më mirë se vendet e rajonit sikurse edhe për trajtimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve.
“Gjithë legjislacionin e saj e ka përshtatur me legjislacionin ndërkombëtar, përkatësisht me atë të Bashkimit Evropian. Në shumë raste thuhet se ligjet vetëm janë përkthyer në gjuhën shqipe ndonëse konteksti i Kosovës ndryshon shumë me atë të vendeve nga të cilat janë marrë ligje të caktuara. Kosova edhe sipas shumë organizatave ndërkombëtare por edhe vet raportuesve si në rastin e BE-së ka plotësuar kushtet për të përfituar liberalizimin e vizave në vendet e Unionit Evropian”, treguan ata.
Nga KMDLNJ, tregojnë se sipas historisë nga kjo mundësi e BE-së kanë përfituar shtetet të cilat nuk kanë qenë as afër plotësimit të kritereve sikur që është Kosova, por kjo më shumë shihet si çështje politike.
Shtojnë se Kosova në pamundësi që të njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga disa shtete të Evropës (vende anëtare të BE-së) ende të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi e kanë të pamundur që të lëvizin lirshëm jashtë kufijve shtetërorë.
“Ende qytetarët e Kosovës janë të obliguar të përfillin procedura të stërgjatura e të kushtueshme për t’u pajisur me viza për të lëvizur në vendet evropiane dhe më gjerë. Përjashtimisht, vendeve të rajonit për të cilat nuk është e domosdoshme pajisja me viza për qytetarët e Republikës së Kosovës“, thanë ata.
Tutje, sipas tyre, të drejtat e të qytetarëve të Kosovës po shkelen nga mekanizmat ndërkombëtarë.
“Lirisht, mund të themi se kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve si njëra ndër të drejtat e njeriut e cila po u mohohet qytetarëve të Kosovës paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, aq më tepër në kohën kur janë krijuar shumë mundësi teknologjike dhe tjera por edhe po promovohet diversiteti kulturor, fetar, gjuhësor, etj dhe për faktin se Kosova është njëri ndër shtetet të cilat qëndrojnë më mirë se disa vende anëtare të BE -së në të gjitha shtyllat apo kriteret për anëtarësim”, treguan nga KMDLNJ.
Përkundër të gjitha kushteve të plotësuara, qytetarëve të Kosovës u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë, nga KMDLNJ, vlerësojnë se kjo përbën shkelje të rëndë të drejtave të njeriut. Nga kjo organizatë, shtuan se ky shtet padrejtësisht është izoluar dhe çështja e vizave po kushtëzohet me një marrëveshje politike të imponuar që duhet ta lidhë me Serbinë.
Sipas tyre, më të prekur nga kjo shkelje, janë të rinjtë dhe studentët të cilët ndjekin procedura të gjata për vizat e të cilat edhe kushtojnë.
“Për këtë arsye të rinjtë kosovarë po e pësojnë në aspektin profesional për faktin se nuk po pajisen me viza prandaj po e kanë vështirë të sigurojnë lejeqëndrim për të studiuar apo për t’u aftësuar profesionalisht . Lëvizja e lirë po i vë në pozitë diskriminuese të rinjtë kosovarë pikërisht nga ata që proklamojnë vlera demokratike ku liria e lëvizjes është njëra ndër vlerat kryesore të demokracisë evropiane e që aq paskrupullt iu mohohet rinisë kosovare”, thanë tutje.
Ndërkaq, ata thonë se në KMDLNJ–ë ka pasur shumë raste kur studentët janë ankuar për izolimin e si pasojë ka pasur dhe raste që kanë humbur bursat e studimit shkaku i mospajisjes me viza.
“Përveç ngritjes së shqetësimeve nga KMDLNJ , si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut , nuk ka pasur mundësi të bëhet më shumë për faktin se është e drejtë ekskluzive e vendeve ku aplikohet për viza të lëshojnë apo të mos lëshojnë viza. Edhe kur refuzohen vizat , shtetet përgjegjëse nuk e japin asnjë sqarim për këtë e as që e kthejnë taksën e paguar për viza nga aplikuesi e që, për rrethanat tona është mjaft e kushtueshme“, u shprehën tutje.
Pastaj, shtojnë se për këtë kauzë ka pasur reagime nga i gjithë spektri shoqëror, e veçanërisht nga të rinjtë të cilët po ballafaqohen me pabarazi krahasuar me të rinjtë e vendeve të tjera.
“Ka pasur reagime publike madje i jemi drejtuar edhe ambasadave përgjegjëse por se nuk janë përgjigjur për faktin se konsiderojnë se është e drejtë e tyre e patjetërsueshme pajisja apo jo me viza. Ankimimi në nivele më të larta merr kohë dhe nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv. KMDLNJ–ë nuk ka mandat ekzekutiv por vetëm ka rol informues dhe sensibilizues për shkelje eventuale të të drejtave të njeriut”, thanë ata.
Sipas tyre, ata janë organizatë e cila gjithë aktivitetin e saj e ka të bazuar në mbrojtje, promovim dhe avancim të të drejtave të njeriut në përgjithësi.
Ndërsa, Nexhmi Musliu, zyrtar për media në Ambasadën e Francës, sqaron se liberalizimi i vizave ka të bëjë vetëm me vizat me qëndrim të shkurtër më pak se tre muaj.
“Edhe nëse Kosova një ditë do të përfitojë nga liberalizimi i vizave, përsëri do të kërkohen viza për qëndrime më të gjata se tre muaj. Prandaj do të ketë gjithmonë viza pune dhe viza studimi për të rinjtë që dëshirojnë të fitojnë përvojë pune në një vend të Bashkimit Evropian (ose më saktë në zonën Shengen) ose të studiojnë atje”, tha ai.
Kurse, nga Ambasada për punësim në Zvicër bëjnë të ditur se numri i vizave të lëshuara për kosovarët është shumë i ulët, rreth 50 deri në maksimum 100 në vit.
Nga Këshilli Rinor Kosovar treguan se kishte disa ngjarje që të rinjtë e kësaj organizate shkaku izolimit shtetëror e kishin të pamundur të merrnin pjesë dhe e veçuan një.
“Kemi pasur disa raste të tilla mirëpo një nga këto eksperienca është kur ne si organizatë kemi pasur të organizojmë ‘workshop training’ rreth një festivali të filmit në Bosnje, i cili nuk ishte i mundshëm për shkak të procedurave tejet të komplikuara për marrjen e vizës dhe kontradiktave mes Ambasadës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës”, thanë nga organizata.
Nga KYC, numërojnë disa përvoja që të rinjtë i kanë përjetuar.
“Disa prej këtyre aktiviteteve jashtë vendit që mund t’i përmendim janë: pjesëmarrja jonë në seminarin avokimit “EcoFighters” në Stamboll, pjesëmarrja jonë në grupin punues për udhëzuesin “PeerEducation” në Berlin të Gjermanisë, përfaqësimi jonë në Panairin e Anëtarëve gjatë Asamblesë së Përgjithshme 2017 në Berlin, pjesëmarrja jonë në Konferencën e 19-të Ndërkombëtare të të Rinjëve në Krushevë, Maqedoni të Veriut”, treguan ata.
Sipas tyre, shpesh në tryezat e tyre është diskutuar rreth kësaj teme e kur atyre iu mohuan shumë aktivitete në botë shkaku vizës ishte zhgënjyese për ta.
Më tej, ata krahasojnë të rinjtë që kanë lëvizur në botë dhe e kundërta.
“Dallimi kryesor mes atyre që kanë pasur aktivitete jashtë vendit dhe ata që më shumë janë angazhuar në Kosovë mund të themi se ata të cilët kanë dalur jashtë vendit kanë pasur një pikë më shumë referuese rreth aktivizmit rinor në shtete më të zhvilluara si dhe kanë pasur një ide se në cilat pjesë apo çështje duhet të punojmë duke i parë metodat të cilat i kanë shfrytëzuar ata praktikisht”, thonë ata.
Nga KYC thonë se të rinjtë që janë angazhuar në aktivitetet e kësaj organizate, të paktën 30 për qind të tyre kanë vazhduar studimet e tyre jashtë Kosovës.
Në vitin 2000, disa studiues, filluan një përpjekje ambicioze për të dokumentuar rezultatet akademike të studimit jashtë vendit në të gjithë Sistemin Universitar të Gjeorgjisë me 35 institucione.
Ata kanë zbuluar se studimi jashtë ndihmon, në vend që të pengojë, performancën akademike të studentëve në rrezik.
“Dhjetë vjet më vonë, ata kanë zbuluar se studentët që studiojnë jashtë vendit kanë përmirësuar performancën akademike pas kthimit në shtëpi, nivele më të larta diplomimi dhe njohuri të përmirësuara të praktikave kulturore dhe kontekstit krahasuar me studentët në grupet e kontrollit. “, shkruhet në një publikim të portalit Inside Higher Ed.
Krenare Gashi-Krasniqi, drejtoreshë e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), në Kosovë, tregon së të rinjtë që kanë përfituar nga programet e RYCOS-së kanë udhëtuar kryesisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Gjithashtu ju kemi ofruar edhe mundësi në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian në ngjarje që lidhen me të rinjtë. Mirëpo mundësitë që RYCO ofron për të rinjtë e rajonit duke përfshirë edhe të rinjtë nga Kosova tejkalojnë edhe kufijtë kontinental. Ne kemi edhe program të veçantë me Ministrinë e Punëve të Japonisë ku të rinjtë nga Ballkani kanë mundësi shkëmbimi përvojash me të rinjtë dhe kulturën Japoneze”, tha ajo.
Izolimin shtetëror, sidomos, për rininë e vendit e cilëson si sfidë e cila thotë sa është e padrejtë aq edhe e pakuptimtë.
Anëtarët e organizatës të cilën e drejton thotë se ishin pjesëmarrës në shumë organizime, shkaku bashkëpunimit që kjo organizatë ka me ambasadat respektive.
“Gjatë përvojave tona për ngjarjet që janë bashkorganizuar nga RYCO me partnerët tanë Evropianë, të rinjtë nga Kosova kanë marrë pjesë në gjitha ngjarjet njësoj sikur edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Kanë qenë vet të rinjtë ata që kanë ngritur shqetësimin rreth pengesave që po u shkakton izolimi i vendit. Dhe se kanë humbur shumë mundësi pasi nuk kanë pasur viza të udhëtojnë”, thotë ajo.
Drejtoresha Krasniqi, liberalizimin e vizave për kosovarët e posaçërisht për rininë e konsideron si përfundim të një kapitulli izolues për të vetmin vend në gjithë kontinentin evropian.
Lëvizja e lirë në zonën Shengen thotë se do të ishte një mundësi për përvoja personale e profesionale për brezin e ri dhe mundësi njohje me të rinjtë e tjerë evropianë.
“Kjo do të nënkuptonte edhe mundësi për të rinjtë evropianë për tu njohur me potencialet dhe vlerat e të rinjve nga Kosova në zemrat e të cilëve rrah pulsi i Evropës me intensitet të njëjtë, ndoshta edhe më të lartë se sa të rinjve nga pjesët tjera të kontinentit. Fatkeqësisht ka mungesë të theksuar të njohjes së realitetit të potencialit të të rinjve nga Kosova nga të rinjtë që janë qytetarë të Bashkimit Evropian. Kjo sigurisht ka ndodhur për shkak të pamundësisë për tu takuar sa duhet me ta e njohur për së afërmi vlerat e aftësitë e tyre”, shprehet ajo.
Sipas saj, RYCO ka ngritur shqetësim për mohimin e të drejtës së lëvizjes për të rinjtë kosovarë në gjitha diskutimet që janë zhvilluar.
Përpos kësaj, ajo thotë se kjo organizatë ka ofruar mundësi për moshën e re duke ju dhënë atyre hapësirë për të treguar te vendimmarrësit evropianë se sa sfiduese është kjo barrierë personalisht dhe profesionalisht.
Ajo thekson se udhëtimi kishte ndikim pozitiv tek ata që e kishin këtë mundësi.
“Ajo që është lehtësisht e dallueshme, është fakti që të rinjtë nga Kosova që kanë pasur mundësi të udhëtojnë janë shumë më të hapur në mënyrën se si i perceptojnë dukuritë që ndodhin dhe veçanërisht janë më të gatshëm të përballen me sfidat komplekse të globalizimit”, shtoi Krasniqi.
Por disa të tjerë e kishin të pamundur të merrnin pjesë në ngjarje të tilla, ajo tregon se për këtë arsye ata e kishin humbur kurajon.
“Ndërsa ata që kanë pasur përvoja të hidhura, janë shumë më të frustuar dhe të dekurajuar për të kërkuar mundësi të reja. Kjo ndjesi ngulfatëse ka ulur edhe dozën e besimit të institucionet e Bashkimit Evropian karshi përkushtimit të tyre për rrugën evropiane të Kosovës. Kjo mund të dallohet po ashtu lehtësisht në bisedat e para me ta”, tha ajo.
Drejtoresha Krasniqi, sugjeron që vendet të cilat hezitojnë ende ta rimendojnë seriozisht pozicionin e tyre, ngase, nëse kjo vazhdon, do të ndikoj në ulje të besueshmërisë së BE-së kundrejt Kosovës.
Ajo, tregon se sa penalizues është kufizimi i kufijve në rritjen e potencialit te brezi i ri.
“Çdo ditë më shumë me një gjendje të tillë izoluese nënkupton më pak mundësi për të rinjtë kosovarë e rrjedhimisht kufizim të shfrytëzimit të potencialit të tyre në fusha të ndryshme. Kjo do të penalizonte jo vetëm të rinjtë kosovarë por edhe vet Bashkimin Evropian i cili po humb një mundësi për shfrytëzuar lirshëm gjithë këtë potencial”, shtoi ajo.
Hulumtimi i Institutit të Edukimit Ndërkombëtar (IIE) tregon se studimi jashtë vendit për periudha më të gjata kohore ka një ndikim të lartë në ofertat pasuese të punës dhe përparimin në karrierë, si dhe zhvillimin e gjuhës së huaj dhe aftësive të komunikimit.
“Ndër të diplomuarit që studiuan jashtë vendit për një vit akademik, 68 për qind raportuan se studionin jashtë duke kontribuuar në një ofertë pune ose ngritje në detyrë. Në të njëjtën kohë, fitime më të mëdha në aftësitë e punës në ekip u raportuan nga studentët që morën pjesë në programe afatshkurtra, të cilat priren të jenë më të strukturuar dhe të orientuar drejt ekipit sesa programet afatgjata, ku studentët mund të ndjekin përvoja më të pavarura”, shkruhet tutje në studimin e IIE-së.
Nga instituti i lartpërmendur tregohet se nga 70 për qind e të anketuarve, thanë se përvoja e tyre në studime jashtë ka kontribuuar në një shkallë të konsiderueshme përmirësimi. Ku përmenden pesë aftësi kryesore të cilat ishin zhvilluar: kurioziteti, fleksibiliteti/përshtatshmëria, aftësitë ndërkulturore, besimi dhe vetë-ndërgjegjësimi. Përpos kësaj, më shumë se 50 përqind shënuan fitime të konsiderueshme në aftësitë ndërpersonale dhe në zgjidhjen e problemeve. Ndërsa, shkathtësitë teknike dhe softuerike kishin më pak gjasa të zhvilloheshin. / KultPlus.com