15 Gusht, 2021 - 10:00 pm
Xhaferi i cili ishte njëri prej mendimtarëve të rrallë të trevave shqiptare i përgjigjet historisë dhe dilemave shqiptare për lëvizjet e mendimit ose çfarë shoqëroi ndryshimet e mëdha në Evropë nga lëvizjet kulturore në epoka.
Në hapësirat shqiptare vlojnë nismat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Kulturologu, politikani dhe mendimtari Arbën Xhaferi në këtë intervistë ekskluzive për “Standard” për herë të parë merr në shqyrtim dilemat e lëvizjeve tona mendore dhe kulturore përballë epokave.
Ndërsa shprehet për një lidhje organike me lëvizjet politike se ne “sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit”.
E vetmja lëvizje sipas Xhaferit, par exelence ka qenë neoshqiptarizmi i viteve ‘30, që e konsideron lëvizje politike që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide bëri ndryshimin e strukturës mendore të njeriut… Dhe sa për çështjen e globalizmit sot, ideologu thotë se “instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet për artin”.
A jeni të mendimit se në Shqipëri përveç neoshqiptarizmit nuk ka lulëzuar ndonjë lëvizje tjetër kulturore që të shkundë psikikën e shqiptarëve?
Në hapësirat shqiptare vlojnë iniciativat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Edhe në shoqëritë tjera ka antagonizma të tillë, iniciativa vend e pavend, por megjithatë dihet çka është tendencë kryesore qoftë në politikë, kulturë, apo në mënyrën e zhvillimit të biznesit. Popujt që kanë traditë të qëndrueshme kulturore kanë arritur t’u bëjnë ballë huazimeve pa kriter, kështu që kancona italiane apo shansona franceze arritën t’i bënin ballë muzikës rok.
Në shoqëritë perëndimore ndryshimet janë dinamike, veçmas në fushën e krijimtarisë, por megjithatë vlerat nuk relativizohen, pa marrë parasysh statusin, vlerën e një vepre në treg.
Korrigjimi i vlerësimeve të gabuara bëhet shpejt. Van Gogu ishte shumë i varfër, ngaqë nuk arriti të shiste asnjërën nga veprat e tij, por pas vdekjes së tij ato morën çmime marramendëse.
Neoshqiptarizmi u shqua më shumë se lëvizjet e tjera, për shkak se si nocion arriti të ngërthente në vete pikësynimet kryesore kulturore, por edhe politike, ekonomike të shqiptarëve. Madje do të thosha se neoshqiptarizmi ishte, par exelence, lëvizje politike, që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide, ndryshimi i strukturës mendore të njeriut, në shekullin XIX dhe XX ishte shumë e përhapur. Rrënjët e një kërkese të tillë duhet kërkuar në periudhën e Rilindjes (Renesansës), pastaj te Rusoi, Gëteja, Marksi dhe Niçeja, i cili, pasi e shpalli Zotin të vdekur, e përuroi mbinjeriun, krijesën që mund të ekzistojë edhe pa Zotin. Në Rusinë komuniste, po ashtu u eksperimentua me idenë e krijimit të njeriut të ri sovjetik, por kjo ide nuk ishte aq naive sa idetë e mendimtarëve të mirëfilltë që përpiqeshin t’i zgjidhin problemet e thella shoqërore me teoritë e ashtuquajtura të dezalienimit. Njeriu i ri sovjetik nuk u identifikua me nocionin rus, për shkak të strategjisë së asimilimit të efektshëm dhe të pahetueshëm. Njeriu i ri nuk ishte as rus, as lituanez, as gjeorgjian, as kazak, turkmen, kirgiz, por sovjet që, në fakt, i kishte të gjitha tiparet e rusit, gjuhën, kulturën në përgjithësi.
Nga të gjitha këto përsiatje, vetëm neoshqiptarizmi ishte ide reale, e dëlirë, pa atë pretenciozitet, megalomani dhe djallëzi të teorive të tjera të asaj kohe. Derisa të tjerët synonin ta sovjetizonin, ta serbizonin, ta hispanizonin Evropën, shqiptarët kërkonin ta evropianizonin veten. Ky është një dallim strategjik.
Natyrisht ka pasur edhe lëvizje të tjera kulturore, por shumica prej tyre kishin karakter individual dhe ishin në funksion të bartjes së vlerave dhe tendencave që ekzistonin në katedra të ndryshme të universiteteve të huaja ku studionin shqiptarët. Mirëpo ato nuk u shndërruan në lëvizje, pos nëse nga ky kategorizim e përjashtojmë periudhën e komunizmit, kur krijimtaria varej kryekëput nga dogmat që i pati imponuar ideologjia komuniste.
A kemi pasur truall, flasim edhe para kohës së diktaturës, që vendi ynë të prodhojë elitë intelektuale, që të përcjellë rrymat kulturore evropiane?
Gjithsesi. Vetëm në fushën e krijimtarisë statusi shoqëror nuk çon kandar. Dhuruesi i talentit, atë e ka ndarë në mënyrë të barabartë në të gjitha shtresat shoqërore dhe popuj, pa marrë parasysh madhësinë e tyre. Madje popujt e vegjël zakonisht janë më të motivuar që të merren me krijimtari letrare, figurative, muzikore sesa me hulumtime shkencore.
Tanimë janë krijuar kushte elementare politike, ekonomike dhe profesionale që krijuesit shqiptarë, duke i përcjellë rrymat e ndryshme kulturore, të dallojnë tendencën kryesore nga ato anësore dhe të krijojnë vepra të nivelit evropian. Këto maja, në disa fusha që tani janë arritur.
Është një thënie që i vishet regjisorit Orson Uells, i cili vlerëson se krijimtaria artistike nuk varet gjithaq nga çfarësia e sistemi shoqëror. Zviceranët, punëtorë të zellshëm dhe të disiplinuar, thotë ai, në pesë shekujt e kaluar kanë prodhuar vetëm orën precize, ndërkaq italianët anarkikë, të zhurmshëm, skandalozë, komplotistë, hedonistë kanë krijuar vepra kulmore artistike në të gjitha fushat e kulturës. Për Bodlerin arti është lulja e së keqes. Shpeshherë e keqja, vuajtja, rreziku, nënçmimi janë motive më të fuqishme për krijimtari sesa mirëqenia, ahengu, siguria, vardisja… Për këto shkaqe besoj se krijimtaria artistike është shans për popujt e vegjël, pra edhe për shqiptarët që t’i afirmojnë vlerat kombëtare.
Pse tek ne, ashtu si edhe mentaliteti që zapton Ballkanin, gjithmonë nxitojmë për të arritur dhe kurrë nuk jemi në kohë me Evropën?
Për shkak se pjesa dërmuese e ballkanasve nuk e njohin Evropën, por e paragjykojnë atë. Mosnjohja e Evropës është pasojë e paragjykimeve më të ulëta, më arrogante, të tipit “kurva plakë” apo kontinent i degjeneruar etj. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët, ndonëse nuk kanë distancë nga Evropa, megjithatë, edhe ato vlera që i njohin, nuk i trajtojnë seriozisht, si diçka fondamentale për një shoqëri moderne. Jemi të prirë ta pranojmë formën, pa obligime ndaj përmbajtjes. E duam hedonizmin evropian, por jo stoicizmin, përkushtimin ndaj punës, seriozitetin e tyre, respektimin e ligjit. Gjenetika, origjina apo gjeografia nuk janë përcaktues të mjaftueshëm të identitetit evropian, por sistemi i vlerave. Zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues i Evropës ka një parahistori të gjatë dhe nuk është aspak rastësi. Dokumenti i parë që ngushton hapësirën e sovranit (mbretit) dhe që paralajmëron konceptin e shtetit ligjor, parakushtit për zhvillim të shoqërisë, Magna Carta Libertatum, u hartua më 15.6.1215. Ky ishte dokumenti i parë që e kufizoi pushtetin absolut të mbretit (John Laclandit, Gjonit Patokë) dhe krijoi kushte për përhapjen e idesë, të standardit kushtetues që garanton mbrojtjen e drejtave dhe lirive e njeriut. Ky dokument ka rëndësi historike, ngaqë e hapi shtegun për humanizim të shoqërisë. Kjo ndodhi shekuj më parë.
Po ashtu nuk kuptohet drejt se hulumtimi shkencor ishte shumë i hershëm dhe aspak i rastësishëm që, nga ana tjetër, duke tentuar t’i verifikojë të vërtetat në librat e shenjtë hapi shtegun për konceptet shekullare, për ndarje të kishës, religjionit nga shteti, të vërtetave shkencore nga dogmat. Këto ndryshime, lufta kundër obskurantizmit mesjetar, kërkonin njerëz me guxim të jashtëzakonshëm, që adhuronin të vërtetën më shumë sesa që frikësoheshin nga pasojat e demaskimit të dogmave, që e mposhtnin frikën falë përkushtimit për ta zbuluar dhe kumtuar të vërtetën.
Në Evropë, që nga fillimi ndodhi përplasja ndërmjet doktrinës së krishterë të mëshirës, të mosdhunës dhe mendësisë luftarake, protofashiste të evropianëve. Kjo përplasje që krijonte situatë konfliktuale u zgjidh duke lejuar luftën (dhunën) kundër jo krishterëve (kryqëzatat) dhe kundër shpirtrave të ligë(inkuizicioni).
Evropa, vazhdimisht arrin të gjejë zgjidhje për problemet që krijojnë pengesa për zhvillim të mëtejmë të shoqërisë, që s’mund të thuhet për qytetërimet e tjera. Bie fjala, pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane detyrimisht humbi funksionin edhe institucioni që krijonte unitet në botën islame, kalifi, kalifati. Ky institucion ngërthente në vete dy funksione kryesore, atë të prijësit politik dhe atë të prijësit fetar. Mungesa e një institucioni, e një strukture hierarkike fetare, krijon hapësirë për voluntarizëm, për anarki, ku çdokush mund të marrë vendime në emër të myslimanëve të botës. Edhe sa kohë do të vazhdojë ky konfuzion, askush nuk di. Mungojnë energjitë ndërmarrëse, guximi që përmes hulumtimit të verifikohen vlerat e traditës, që në fakt nuk janë vlera, por kotësi që kanë depërtuar dhe shtresuar me shekuj. Kjo mungesë e ndërmarrësisë, kjo përtaci ka depërtuar edhe në kulturën tonë.
Evropa me guxim ec përpara duke rrënuar barrierat ataviste, tabu temat që e bllokojnë trurin, ajo me vendosmëri i zëvendëson idetë e vjetra pengesëtare me ide të reja që në fakt është fshehtësia se si krijohet historia e vërtetë.
Pra, ne sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane.
Në kuadër të kulturës evropiane, këto vlera, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shtet modern, janë të njohura me shekuj dhe ne, nëse dëshirojmë të jemi evropianë, duhet para së gjithash t’i pranojmë, t’i interiorizojmë këto standarde në sistemin tonë të vlerave.
A mund të studiohet si lëvizje kulturore revolucioni kulturor që shpalli diktatura pra “soc-realizmi”?
Lëvizjet kulturore fitojnë peshë nëse pas tyre qëndron një mekanizëm i fuqishëm financiar dhe politik, pra shteti. Në botën perëndimore këtë çështje i rregullon tregu, sistemi kompleks i menaxherëve, mecenëve, producentëve dhe krijuesve. Në shtetet e kampit socialist, lëvizjet e ndryshme kulturore organizoheshin, financoheshin dhe kontrolloheshin prej shtetit. Kjo lëvizje në Bashkimin Sovjetik mori emrin Proletkult (Organizata Proletare Kulturore dhe Iluministe). Kjo lëvizje do të duhej të krijonte, siç u tha, Njeriun e Ri, të virtytshëm sovjetik. Sipas doktrinës komuniste, çdo veprimtari krijuese duhet të ketë mesazh konstruktiv, mision edukativ, ideologjikisht utilitar. Një mori krijuesish të mëdhenj, duke filluar prej regjisorit antologjik Ajnzejshtajnit, letrarëve, Gorkit, Sholohovit, Aragonit, kompozitorit Hans Eisleri, e deri te piktori B. Vladimirov u vënë në shërbim të formësimit të lëvizjes kulturore që mori emrin “Realizëm socialist” e cila përcaktoi standardin që vepra artistike nuk mund të jetë në funksion të vetvetes (L’art pour l’artisme), por në shërbim të popullit, pra të ketë funksion edukativ shoqëror. Në skulpturë, madje u përurua vlera e pestë estetike-heroikja: çdo luftëtar, punëtor merrte dimensione markante, ashtu si i ka hije Njeriut të Ri Sovjetik.
Por, problemi nuk qëndron këtu, ngaqë edhe në SHBA shkruhen romane edukative, xhirohen një varg filmash edukativë që, pa dyshim, kanë ndikim pozitiv shoqëror. Problemi qëndron te doktrina, dogma e NJËSHIT, të parit në shtet: një ideologji, një udhëheqës, një stil, një shkrimtar, një kompozitor, një poet, një skulptor shtetëror, i cili në mënyrë të denjë i mishëron në krijimtarinë e tij përcaktimet e artit socialist. Pra, dallimi ndërmjet sistemit komunist të vlerave dhe atij demokratik, variacionesh të ndryshme, qëndron te parimi i diversitetit: i pari atë e percepton si rrezik, ndërkaq i dyti si kusht, pa të cilin nuk mund të funksionojë liria, sistemi në tërësi.
Çfarë duhet të kuptojmë sot me lëvizje kulturore? A mund të flitet për të njëjtat kushte shpërthimi siç ndodhën ato të shekullit XIX-XX?
Dy luftërat botërore, tragjedinë që shkaktuan ato, zbulimi i krimeve masive të ndodhura në sistemet komuniste, terrorizmi, zgjerimi i vlerave të shoqërisë së konsumit, shkatërrimi i ambientit dhe përfundimisht globalizmi disi e ngulfatën optimizmin e mendimtarëve të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Dëshpërimi e zëvendësoi utopinë. Kjo dukuri, ky dyshim në progresin e pandalshëm u përhap sidomos në sistemet, u thënçim komuniste. Këtë klimë dëshpëruese, defetiste dhe të pashpresë e përshkruan në mënyrë gjeniale shkrimtari polak, nobelisti Çesllav Millosh (Czeslaw Milosz – 1911-2004), në veprën “Mendja e robëruar” (1962).
Sidomos globalizmi instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet mbi artin. Në këtë treg të përbindshëm që vlon nga ofertat, nivelesh kulmore, pjesa dërmuese e krijuesve të ish-kampit socialist nuk dinë si të sillen, si të adaptohen. Ata jo vetëm që humbën statusin shoqëror, integritetin dhe autoritetin, por edhe besimin në krijimtarinë e tyre. Në këtë klimë u fik edhe zjarri për lëvizje kulturore.
Në të gjitha fushat e artit, thuhet se artistët shqiptarë kanë përcjellë vetëm frymën e rrymave dhe asnjëherë nuk kemi pasur pozicionim të mirëfilltë të një rryme të caktuar. A ndani të njëjtin mendim dhe pse të ketë ndodhur kjo?
Arti, krijimtaria në përgjithësi zhvillohet në mënyrë interaktive (ndërvepruese) në kohë dhe hapësirë. Është e natyrshme që krijuesit e mëdhenj të ndikojnë te të vegjlit, por ndodh edhe e kundërta, që të mëdhenjtë të ndikohen nga të vegjlit ose të panjohurit. Bie fjala portretet e Modilianit janë të ndikuara nga afresket ortodokse, ashtu si një fazë e krijimtarisë së Pikasos nga maskat afrikane. Nga aspekti teorik nuk mund të përjashtohet mundësia që një krijues i madh botëror të jetë i ndikuar nga një krijues shqiptar. Por, ajo kryesorja, e vërteta e madhe, nuk mund të fshihet. Qytetërimi perëndimor është hulumtues, inovativ, që me guxim ec përpara, kërkon përgjigje për pyetjet më shqetësuese të çfarëdo natyre, ndërkaq ai lindor është statik, konservativ që petrifikon (ngurtëson) një mënyrë të jetesës, një stil të krijimtarisë që quhet manierizëm. Tradita, folklori janë forma, produkte të një mendësie, të një stili që refuzon ndryshimin, përkatësisht hapjen e horizontit për këndshikime, botëkuptime të reja që e frikësojnë njeriun e pa mësuar me ndryshimet e vazhdueshme. Shqiptarët, ose janë shumë modern, ose shumë konservativë. Kemi letrarë të mëdhenj, këngëtarë të shkëlqyeshëm operistikë, aktorë të shkëlqyeshëm etj., mirëpo ende nuk arrijmë, bie fjala, të lirohemi nga modelet anakronike të varrimit ose të dasmës.
Qytetërimi perëndimor parapëlqen përsosmërinë, ndërkaq ai lindor tradicionalen. Ndërtimi i piramidave dëshmon për përpjekjet e njeriut të asaj kohe që ta ndalë kohën, ta pengojë ndryshimin, ta përjetësojë të tashmen e tij. Ky është një përcaktim i brendshëm që e parapëlqen statiken, mosndryshimin. Këto tipare fondamentale nuk mund të ndryshohen brenda një nate. Në këtë fazë, jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të mëdhenj janë në fazën e “mimesisit”, të imitimit të koncepteve dhe metodave perëndimore në çdo sferë të veprimtarisë shoqërore, prej zgjedhjeve politike e deri te krijimtaria. Këto forma, mënyra të jetesës, këto standarde, qytetërimi perëndimor ka krijuar për t’i plotësuar nevojat e veta, ndërkaq ne i kopjojmë këto forma të krijimtarisë dhe veprimit politik që t’i ngjasojmë modelit që e idealizojmë. Fazën e mimesisit do ta tejkalojmë vetëm kur këto standarde nuk do t’i perceptojmë si të huaja, por natyrshëm do të jetojmë me to.
A i nevojitet ende sot mendimit – për ta ndryshuar, apo shkëputur nga e kaluara – nënshkrimi i manifesteve, ku shpallen idetë?
Një mendimtar ose krijues i mirëfilltë nuk bën diskriminimin ndërmjet se kaluarës, së sotmes dhe të ardhmes. Në fushën e krijimtarisë moda nuk është kategori që vetvetiu ka konotacion pozitiv, veçmas nëse tema e debatit është krijimtaria artistike. Veprat e Fidias, Eskilit, Shekspirit, Molierit, Dostojevskit, Markesit apo Gynter Grasit sot e gjithë ditën janë të patejkalueshme. Të gjithë këta kanë arritur majat e krijimtarisë pa marrë parasysh se cilës rrymë i takojnë. Disa vlera të së kaluarës janë të patejkalueshme, prandaj në këtë klimë të dëshpërimit nga lëvizjet kulturore, manifestet apo pamfletet nuk mund të ndryshojnë situatën. Mendoj se këto energji, këto shpresa se situata mund të ndryshohet me manifestime u shpenzua me demonstratat e vitit 1968 në botë, kur Sartri, i entuziazmuar nga energjia e këtyre protestave, u përpoq ta jepte kontributin e tij, por mbeti vetëm, i dëshpëruar përjetësisht. Kapitalizmi liberal i shteri këto energji, këtë optimizëm revolucionar.
Megjithatë, krijimtaria është e magjishme dhe qëndron mbi çdo kanon që përpiqen të imponojnë teoricienët, për të kuptuar një vepër artistike. Por, veprat artistike, sidomos ato figurative, nuk mund të vlerësohen me kategori diskursive. Shpeshherë kritika e një vepre artistike, sidomos nëse autori i kritikës është i njohur, në vend që të zbulojë vlerën e një vepre e mallkon atë me një formulim, kategorizim diskursiv që e përdor për ta kuptuar ai vetë një vepër figurative. Pastaj ai formulim bëhet bashkudhëtar i një vepre figurative, që pengon lirshëm të soditet piktura, grafika, skulptura apo instalacioni.
Çfarë e ndryshon sot një komb?
Globalizmi, varfëria, mosfunksionimi i shtetit, i ligjit, relativizmi etik, huazimet, ndikimet nga jashtë që depërtojnë përmes fesë, korrupsioni, krimi i organizuar, dëshpërimi nga cilësia e jetesës, niveli i ulët i cilësisë së krijimtarisë, përçarjet si pasojë e polarizimit politik, vegjetimi si mënyrë e vetme e jetës pa ideale etj. janë faktorë që ndikojnë në ndryshimin e identitetit të një kombi. Deri vonë shqiptarët ishin të perceptuar nga të tjetër si njerëz të ndershëm, me kodeks të qartë moral, por tani ata kanë humbur këtë imazh dhe perceptohen si popull që është i dhënë vetëm pas të mirave materiale. Në një takim me një misionar protestant që gjatë kohës punon në Shqipëri, pyetjes sime të drejtpërdrejtë lidhur me vlerësimin e tij për karakterin e shqiptarit, ai, pa u thelluar mirë që dëshmon se vlerësimin e kishte të pjekur, më tha: Janë të dhënë pas të mirave materiale. Por, është për të habitur se nocioni “alban” te popujt e qytetëruar ka një domethënie sublime…
A besoni në riciklimin e jetës dhe për këtë arsye ndoshta edhe në hipotezën se është e kotë të ndryshosh botën – kujtoj këtu një karikaturë britanike që jep simbolikisht ciklimin e veprimeve të njeriut, që në fund kthehet në pozicionin fillestar. Por, ama, stadet kalojnë.
Çdo qytetërim përpiqet të gjejë përgjigje për arsyen e jetës, për absurdin si pasojë e pamundësisë për të gjetur shpjegime qetësuese për lindjen, jetën, vdekjen, çdo qytetërim përpiqet të gjejë shpjegime për tërësinë, por as që ka arritur as që do të arrijë. Ashtu si bota shtazore që funksion përmes instinkteve dhe s’arrin dot të mendojë, të gjykojë si njeriu, ashtu edhe njeriu nuk arrin dot të gjejë përgjigje për çështjet metafizike. Qytetërimet marrin hov kur pretendojnë se kanë gjetur përgjigje për këto mistere dhe fillojnë ta humbin vitalitetin kur banalizohen ato përgjigje. Qytetërimi perëndimor është përpjekur që të japë përgjigje për këto pyetje duke analizuar qenien e njeriut. Për disa filozofë, qenia dhe kuptimi i jetës është puna (homo faber), për disa të tjerë loja (homo ludens), ndërkaq për postfrojdistin Markuze – erotika. Disa popuj të tjerë nuk kridhen fare në këto dilema. Ata ende nuk janë të ndriçuar dhe ushqimin shpirtëror e marrin nga brenda, si fëmija përmes kërthizës, përmes zakoneve dhe ritualeve. Ata nuk dinë pse kanë ardhur në këtë botë dhe natyrisht s’dinë si ta jetojnë jetën, pos në përputhje me traditën, me rregullat që janë përcaktuar kushedi kur, kushedi nga kush dhe kushedi pse.
A është atdhedashuria, jo si nacionalizëm, që të nxit për rebelizëm – e për pasojë dhe krijimin e atij kushti paraprak për lindjen e një lëvizjeje të fuqishme kulturore?
Sa është njeriu egoist, po aq është altruist, sa është mizantrop, po aq është filantrop, sa është individualist po aq është qenie shoqërore, sa është i motivuar nga egoja po aq në të ndikon superegoja. Shpeshherë misioni shoqëror e suspendon tiparet e tjera të personalitetit të njeriut, shpeshherë idealet shoqërore, drejtësia, zbulimi i të vërtetës, atdhedashuria, nacionalizmi, konceptet morale, frika nga izolimi, aq shumë e motivojnë njeriun sa që ai arrin ta mundë instinktin e mbijetesës.
Çdo individ dhe çdo grup shoqëror kanë ndjenjën e fortë individuale dhe shoqërore për të qenë të barabartë me të tjerët, të respektuar. Këtë ndjenjë për barazi, Platoni e quajti “thimos”. Pra, thimosi e vë në veprim njeriun që t’u kundërvihet faktorëve që e përbuzin, e nënshtrojnë, e cenojnë integritetin e tij individual apo shoqëror. Pjesa diskursive, racionale e thimosit është nacionalizmi. Ai mund të jetë arrogant, brutal, çnjerëzor, por mund të jetë i drejtë, fisnik, i moralshëm që krijon kohezion në shoqëri, i motivon njerëzit për liri, krijimtari, për ndërveprim me të tjerët për tejkalim të vështirësive, për angazhim të vullnetshëm shoqëror, për funksionimin më të gjerë të parimeve të etike, e plotëson nevojën e thellë të individit për përkatësi një grupi shoqëror. Ata që verbërisht janë kundër nacionalizmit dhe ofrojnë zëvendësimin e tij me përkatësi ndaj grupimeve tjera, harrojnë faktin se vetëm nacionalizmi krijon mekanizma të qëndrueshëm, shtetin, që mbron dhe kultivon vlera me të cilat identifikohet një njeri.
Janë absurde dhe kundërthënëse tezat që pohojnë se më parë ndjenja nacionale nuk paska ekzistuar, si dhe tezat se ndjenjat e sotme nacionale qenkan anakronizëm. Por, askush nuk mund të mohojë faktin se popujt që kanë krijuar më herët shtetin e tyre janë më të përparuar sesa popujt që nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim, ose faktin se shtetet nacionale janë imune ndaj faktorëve shpërbërës. Një popull që nuk arrin të krijojë shtetin nacional, një kohë të gjatë do t’i angazhojë kapacitet për këtë qëllim dhe shumë aspekte të tjera që e bëjnë jetën e njeriut interesante do të lihen pas dore, përfshi këtu edhe angazhimin kulturor. Si pasojë e gjithë kësaj është shthurja e elitës, ikja e trurit në shtete të tjera. Aty ku nacionalizmi ka qenë ideal frymëzues, aty zhvillimi është i pandalshëm, aty madje më lehtë ndërtohet shteti funksional ligjor dhe aty ku nacionalizmi është i rrejshëm, i keqpërdorur për qëllime të tjera shfaqen procese degjeneruese që e komprometojnë atë.
Si mund të shkulet ndryshe e kaluara, ajo pjesë e mentalitetit që e lë shoqërinë pas pa ndriçimin e së ardhmes, vizionin?
Mendoj se çdo gjë është e lidhur me vetëdijen e njeriut, me vlerësimet e tija të ngjarjeve, të proceseve, të rolit të personaliteteve, të trashëgimisë, të huazimeve etj. Të qenit gjatë kohë nën sundimin e huaj ka ndikuar që të interiorizohen (të brendësohen) huazimet nga kulturat e tjera, duke filluar nga kostumet e deri te sintaksa, struktura e gjuhës. Këto depërtime të huazimeve, shpesh bëhen pjesë e identitetit të një populli sa që ato nuk njihen më si element i huaj. Bie fjala, në Tiranë, në epiqendrën e kulturës shqiptare, dimitë (çitjanet, kulet) ende paraqiten si pjesë e traditës kombëtare ose disa këngëtarë të ndikuar nga mënyra e këndimit të ilahive, janë të bindur se ai këndim, ato këngë janë reprezentë të denjë të traditës sonë muzikore ose kapuçat me dantella, të ngjashme me ato të popujve të lindjes së mesme, çifutëve, arabëve, pakistanezëve, tashmë, për një segment të popullit shqiptar, janë bërë pjesë e identitetit të tyre. Është krejtësisht e qartë se huazimet nuk mund të ndalen me urdhra, si në të kaluarën, të tashmen ose të ardhmen, mirëpo diçka tjetër duhet të merret parasysh: huazimi i muzikës rok apo rep nuk mund të relativizohet me atë të ilahive, ngaqë këto të fundit paraqiten si pjesë tipizuese e traditës sonë, origjinës sonë, ashtu si blu-xhinsat që nuk mund të krahasohen me kapuçat-dantellë që sot perceptohen si element të traditës. Çdokush sot di se muzika rok apo blu-xhinsat janë huazime, por shumë pak veta dinë se ilahitë, një pjesë e madhe e muzikës sonë popullore, si dhe dimitë, sofra, të ulurit këmbëkryq etj. janë po ashtu huazime, madje edhe më të rrezikshme, ngaqë trajtohen si fondament i kulturës dhe i identitetit tonë kombëtar.
Disa shtete formohen si pasojë e idealeve etnike, të cilat bëhen kombëtare pas formimit të shtetit, disa mbi baza të interesit politik, strategjik etj. Këto të fundit e formojnë shtetin pastaj e formësojnë identitetin kombëtar, si SHBA-të bie fjala. Është absurde që në një shtet që është ngritur mbi interesin etnik, të përthahet segmenti kulturor, përkatësisht, bërthama e identitetit kombëtar, faktori që e nxiti procesin e formimit të shtetit kombëtar.
S’ka nevojë të shkulet e kaluara për të pasur vizion për të ardhmen, por duhet në mënyrë kritike të ndriçohen përkatësitë, me mjeshtri të gdhendet guri i diamantit ose të ndahet, të paktën në planin e vetëdijes kombëtare, shapi prej sheqerit. Çdo popull i civilizuar e ka bërë këtë.
Energjia jonë, ballkanike, mesdhetare, çfarë mund të bëjë tjetër veç mbajtjes lidhur pas kompleksit dhe krijimit të miteve – a mund të jenë këto arsye pse Ballkani është në qerthull gjithnjë dhe nuk ecën përpara…
Vetvetiu asgjë të keqe nuk vjen nga mitet, por nga instrumentalizimi i tyre për interesa hegjemoniste nacionaliste, nga keqpërdorimi i tyre politik që krijon vuajtje dhe tragjedi te popujt e tjerë. Sot këta popuj keqpërdorues abuzojnë edhe me fetë, konkretisht me krishterimin, njësoj si me mitet. Duke paraqitur veten si të krishterë të devotshëm, abuzuesit kërkojnë, në fakt, licencën për dënim të popujve të tjerë me përkatësi tjetër fetare. Shembulli tipik i abuzimit të këtillë është Maqedonia. Kryeministri aktual, Gruevski, në mënyrë brutale i instrumentalizon këta faktorë, mitin dhe besimin fetar: e përvetëson idenë e prejardhjes antike të maqedonasve dhe në çdo kënd të qyteteve mëton të ndërtojë përmendore për personalitetet e antikës. Krahas kësaj, ai, duke shfrytëzuar buxhetin shtetëror, që sipas Kushtetutës duhet të jetë shekullar, paralajmëron ndërtimin e kishave, katedraleve, jo për ideale, por që të provokojë komunitetin mysliman që të pozicionohet në istikamet fetare. Kështu, ai një luftë të humbur politike dhe etnike e bart në terrenin mitik dhe fetar, me shpresë që të dalë fitues.
Në dallim nga popujt e tjerë të Ballkanit, vetëm shqiptarët nuk thirren në fikcione, në mite dhe Zot, ngaqë kauza e tyre është vetvetiu reale dhe se ka gjasa të natyrshme të realizohet. Në këtë rrafsh çështja dhe kultura shqiptare dallon nga ato të popujve të tjerë të Ballkanit. Kauza jonë është reale…
Dikur në vitet ‘20-‘30 shqiptarët në Itali, Bukuresht, Sofje, Egjipt etj. ngritën vatra kulturore dhe “detyruan” autoritetet e vendeve për ta njohur gjuhën shqipe, ashtu dhe kulturën – sot nuk ndihet më kjo ndjeshmëri. Ndërkohë që vendi ynë është bërë han me 100 porta, jashtë njohja ka humbur kuptimin e saj fillestar, si lëvizje, ç’tregon ky barometër?
Në gjuhën latine ekziston një sentencë që mund ta shpjegojë këtë dilemë: “Quius lingua eius regio” (E kujt është gjuha i atij është territori). Italia, Bukureshti, Sofja, Egjipti, unë do të shtoja edhe Shqipëria nuk frikësohen nga gjuhët e pakicave të papërfillshme…
Dhe së fundi, a vlen më mendimi shqiptar, praktikisht, për të artikuluar interesat kombëtare?
Mendimet, çfarëdo qofshin, ato modifikohen, në varësi nga rrethanat. Vlerësoj se mendimi shqiptar zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe do të jetë në funksion të çështjes kombëtare. Unë e shoh atë gjeneratë dhe fuqinë e motivacionit, të argumenteve të tyre.
Intervistë e publikuar në vitin 2014. / KultPus.com