21 Tetor, 2021 - 2:26 pm
Ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tash e sa kohë po viziton bizneset që udhëhiqen nga gratë, shkruan KultPlus.
Ajo së fundi ka vizituar punëtorinë e Ergyle Gjurgjialo në Prizren, e cila është një ndër gratë e pakta në Kosovë që e punojnë plisin.
Përgjatë vizitës, Jahjaga ka vënë një plis në kokë, përderisa ka parë nga afër zhvillimet e këtij biznesi.
KultPlus më poshtë ju sjell postimin e plotë të Jahjagës.
Znj. Ergyle Gjurgjialo tradicionalen e ka në zemër! Me plis në kokë e me sofër shtruat ashtu si e do rendi tek shqiptarët na priti në punëtorinë e saj në Prizren.
Si një ndër gratë e pakta e thuajse e vetmja në Kosovë, ajo tashmë 35 vite punon plisin – kapelen identifikuese të shqiptarëve ndër shekuj.
Ergylja kjo trimëresh, nuk ndalet as edhe një ditë së punuari plisin, me fanatizëm e shumë dashuri, në mënyrë që tradita jonë të mbetet gjallë./ KultPlus.com