4 Mars, 2024 - 8:44 pm
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit, në Shtëpinë e Bardhë.
Jahjaga u takua me zonjën e parë të Amerikës, Jill Biden, si dhe i shprehu presidentit, Joe Biden nevojën që angazhimi i vazhdueshëm amerikan në Kosovë të intensifikohet.
Gjatë këtij takimi, Jahjaga bën me dije se ndau kujtime nga vizita e presidentin amerikan, Joe Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të presidentit, njofton Klankosova.tv.
“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesën e Zonjës së Parë Jill Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ishte nder i veçantë të marr pjesë në ndarjen e çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit”.
“E falenderova Dr. Biden për angazhimin e vazhdueshëm amerikan në Kosovë dhe nënvizova nevojën që ky angazhim të intensifikohet”.
“Ishte kënaqësi e veçantë ta takoj Zonjën e Parë, Dr. Jill Biden sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, patëm rast të ndajmë kujtimet nga vizita e Presidentit Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të Presidentit amerikan në vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës në Kosovë”, u shpreh kështu ish-presidentja në llogarinë e saj zyrtare të Facebook-ut.
“Si Presidente e Kosovës, në mars të vitit 2016, në Shtëpi të Bardhë i pata dorëzuar zotit Biden dekretin për emërimin e rrugës që lidh kryeqytetin e Republikës tonë me kampin ushtarak amerikan Bondsteel, si nderim në emër të popullit të Kosovës për kontributin e familjes Biden për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ishte ndër momentet më emocionuese të mandatit tim, të cilin e kujtoj me shumë krenari”.
“Sot, kjo rrugë qëndron si simbol i miqësisë të palëkundur me SHBA-të dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për ta zhvilluar vendin si një vend të lirë, demokratik, të palëkundur në partneritetin tonë, të bazuar në vlerat tona të përbashkëta”.