23 Tetor, 2024 - 6:09 pm
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se sot në New York është takuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Ajo tha se në këtë takim me ish-sekretaren amerikane, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e ish-sekretares dhe presidentit Bill Clinton për Kosovën ndër vite për angazhimin e tyre për paqe dhe siguri duke qëndruar krah popullit të Kosovës në momentet më të vështira.
“Në Kombet e Bashkuara pata kënaqësinë të takoj miken time, Sekretaren Clinton, një mike të madhe të popullit të Kosovës. I shpreha mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton për kontributin dhe mbështetjen e saj dhe Presidentit Clinton ndaj Kosovës ndër vite. Ne jemi përherë falenderues për angazhimin e tyre në paqe, siguri dhe zhvillim të vendit tonë, duke qëndruar përkrah popullit të Kosovës në momentet më të vështira”, shkroi Jahjaga transmeton Klankosova.tv
“Me Sekretaren Clinton diskutuam edhe për rëndësinë e avancimit të të drejtave të grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në pozita të larta udhëheqëse. Përvoja e saj në lidership dhe përkushtimi për fuqizimin e grave dhe vajzave mbeten frymëzim”, theksoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.