3 Dhjetor, 2020 - 12:25 pm
Shkruan Shkurta Bregovina
E kuptoja se isha ndryshe, por guximi që buronte nga brendësia ime, si shumica e fëmijëve, me bënte të mos ndaloja përballe rreziqeve të mundshme. Në atë kohë nuk njihja pamundësi.
Prindërit patën vendosur që unë dhe Liridona (motra) të vijonim shkollimin bashkë. Pikërisht aty edhe filloj përballja e vërtet me shoqërinë paragjykuese. Në vitin 2005 kur i mbusha 5 vjeç u përballa për herë të parë me të qenurit person me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë.
Mësuesi, modeli i dytë pas familjes, zgjodhi që diferencat dhe kufizimet t’i aktivizonte që nga klasa e parë. Ditën e parë të klasës së parë mua në prani të tërë klasës më nxori jashtë duke më potencuar se vendi im nuk ishte shkolla e rregullt, por shkolla speciale. “Unë s’muj me punu me nxansa si ti.”
Nejse, na u deshtë ta ndërronim shkollën me shpresën se do të gjenim një mësues që të më pranoj në klasë. Qasja joadekuate më përcolli gjatë tërë ciklit fillor dhe të mesëm të ulët.
Sikur nuk mjaftonte trajtimi diskriminues nga mësimdhënësit. Barrës së paragjykimeve ju shtuan ato të prindërve që sillnin fëmijët në shkollë. Ata i drejtoheshin Liridonës : Kjo çika nuk sheh a ? E ti kujdesesh për të a ? Boll zor valla.
Por këto pyetja asnjëherë nuk m’i bënin fëmijët, ndonëse buronin nga po këto familje paragjykuese.
Gjatë gjithë kohës më kanë shoqëruar pyetjet e famshme me dozë nënçmuese : A ushqehesh vetë ? A pastrohesh vetë ? A edhe ti munesh me mësu? E qysh i nënshtrohesh testeve kur nuk sheh me lexu ?
A ndikonte kjo qasje jo adekuate në mua ? Unë them po.
Përballja me mos pranimin me shkaktoj pasiguri, ndrojtje, dyshim. Por ama unë vendosa që të ndërroj pozicionin e figurave. Zëvendësova pasigurinë me caktimin e Zotit, ndrojtjen në përballje me situatat, dyshimin me besim në aftësitë dhe fuqitë e mia
Me Liridonën i ndamë rrugët ajo në gazetari e unë në punë sociale. Këtu vendosa me tentu, me provu kush është me të vërtet Shkurta.
Ambientimi me mungesën e infrastrukturës në universitet ishte i vështirë. Kisha nevojë për tualet për me ndërru ambient, por shpesh këto ishin të mundura deri kur Liridona përfundonte ligjëratat dhe vinte tek unë. Në mëngjes shkoja dhe prisja deri sa Liridona përfundonte ligjëratat. Dikur pritja në korridoret e filozofikut u bë art në vete, pastaj u bëra një me pritjen. Ndjeja lodhje fizike, por asnjëherë shpirtëror.
As nuk u mjaftova me studimet BA. Po vazhdoj të studioj, madje tani në dy nivele njëkohësisht. Unë po ndjek studime BA Psikologji e përgjithshme dhe MA Psikologji e vlerësimit dhe intervenimit. Sepse pritja, lodhja dhe diskriminimi nuk u bë demoralizim, por forcim për mua.
Përgjigjeve të naltpërmenduna gradualisht u jepja përgjigjeje praktike.
Shkurta e vogël që nuk mundet, nuk mundet dhe prap nuk mundet, u kthye në atë që: Shkurta mund të luaj, të mësoj, të studio, të pastroj shtëpinë, të përgatisë ushqimin, të ndihet e pranuar, të pëlqej dhe të pëlqehet. Mos prit as ti që dikush të të pranojë pa e pranuar ti veten. Mos thuaj nuk ma nin për ofendimet e tjerëve kundrejt meje, se në fakt mua, ty dhe gjithsecilit na bënë të ndihemi jo mirë.
Por çka duhet të bësh në fund? Të ndërrosh pozicionet e figurave dhe të vazhdosh. T’i thuash vetës qëndro se nëse bie ngrihesh përsëri. / KultPlus.com