20 Janar, 2021 - 3:55 pm
Shtëpia që këngëtari anglez James Blunt dhe familja e tij kanë në Ibiza, afër Santa Gertrudis në Spanjë, ka qenë cak i hajnave gjatë orëve të para të së enjtes së kaluar. Hajdutët morën të gjitha veshmbathje të artistit, një orë nga gjyshi i tij dhe një bajonetë nga koha kur Blunt shërbente si ushtar në Kosovë, raporton Dario de Mallorca.
Këngëtari ofron një shpërblim financiar nëse hajnat ia kthejnë disa prej gjërave që ia vodhën, pasi ato Blunt i konsideron “të pazëvendësueshme” për shkak të vlerës së tyre të madhe sentimentale.
Policia dyshon se tre burra hynë në shtëpinë, pasi familja e këngëtarit gjeti tri gjurmë gishtash të panjohur në shtëpi, njoftoi gruaja e Blunt, Sofia Wellesley. Shtëpia ishte rinovuar kohët e fundit dhe ishin punësuar disa punëtorë të jashtëm.
Hajdutët morën këmisha të Blunt, syze dielli dhe sende të shumta tjera nga këngëtari, përveç manshetave prej ari, një ore xhepi që i përkiste gjyshit të tij dhe një bajonetë nga koha kur Blunt shërbeu si ushtar në luftën e Kosovës.
Artisti, në një deklaratë për Diario de Ibiza, ka thënë se e kupton që “këto janë periudha të vështira në ishull për shkak të krizës së madhe të shkaktuar nga Covidi” dhe ka kërkuar vetëm kthimin e gjësendeve që ai i cilëson të pazëvendësueshme.
Blunt, me disponim të mirë përkundër asaj që ndodhi, ka thënë: “Hajdutët morën rreth 100 artikuj, përfshirë një qilim të bardhë dhe një tjetër të lëkurës së lopës që gruas sime nuk i pëlqente, kështu që unë dyshoj se ajo mund të jetë përfshirë. Ata gjithashtu morën të gjitha bluzat e mia, kështu që ato nuk duhet të kenë shije shumë të mirë të estetikës, pasi unë nuk jam i njohur për stilin tim. Por seriozisht, unë e kuptoj se është një kohë e vështirë për shumë njerëz në ishull dhe trishtimi im i vetëm i vërtetë është se ata morën disa mansheta dhe një orë xhepi të vjetër që i përkisnin gjyshit tim dhe një bajonetë nga koha ime si ushtar në luftën e Kosovës më 1999. Unë me kënaqësi do të paguaja një shpërblim për kthimin e tyre dhe ata mund të kontaktojnë me mua në emailin [email protected]”.
Ai dhe gruaja e tij kanë bërë një njoftim përmes rrjeteve sociale dhe kanë treguar se ofrojnë shpërblim financiar për ata që mund t’i informojnë mbi vendndodhjen e sendeve të tyre të vjedhura. Policia dhe Garda Civile vazhdojnë hetimet.
Blunt shërbeu si ushtar i NATO-s gjatë luftës në Kosovë më 1999. Pas largimit nga ushtria, ai u bë i famshëm në vitin 2004 me publikimin e albumit të tij debutues Back to Bedlam, duke arritur famë në të gjithë botën me “You’re Beautiful” dhe “Goodbye My Lover”. /Express/ KultPlus.com