Japonia hap World Expo 2025

12 Prill, 2025 - 6:00 pm

Japonia hapi sot ekspozitën botërore të këtij viti Expo 2025 në Osaka, në prani të perandorit japonez Naruhito dhe gruas së tij, perandoreshës Masako.

Dyert do të hapen nesër për publikun.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion, morën pjesë edhe princi dhe princesha e kurorës si dhe kryeministri, Shigeru Ishiba.

Vendi i Expo, i vendosur në ishullin artificial të Yumeshima, është i rrethuar nga Unaza e Madhe, një ndërtim prej druri dy kilometra i gjatë dhe deri në 20 metra i lartë, për të cilin organizatorët thonë se është më i madhi në botë.

Struktura imponuese synon të simbolizojë konceptin gjithëpërfshirës të Expo – diversitetit dhe unitetit.

Gjatë një periudhe gjashtëmujore, deri më 13 tetor, më shumë se 160 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare do të prezantojnë idetë e tyre në pavionet e tyre me temën qendrore “Dizajnimi i shoqërisë së të ardhmes për jetët tona”.

Organizatorët presin 28 milionë vizitorë, megjithëse sondazhet tregojnë se interesi në mesin e popullatës japoneze deri më tani ka qenë shumë më i ulët se sa pritej.

Osaka priti për herë të fundit Ekspozitën në vitin 1970, kur erdhën më shumë se 64 milionë vizitorë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme