8 Shtator, 2022 - 11:50 am
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar greva në arsim do të vazhdojë, shkruan KultPlus.
Ai gjithashtu njoftoi se kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe po vazhdojnë ta bëjnë një gjë me Unionin e Sindikatave të Evropës dhe se kanë pranuar letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve.
Këto deklarata Jasharaj i bëri në konferencë për media, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Nevrus Kaptelli si dhe nënkryetari i Sindikatës së Arsimit të Maqedonisë Veriore (SONK), Tafa Ameti.
“Greva po vazhdon fatkeqësisht për shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë që të ulet me përfaqësuesit e sindikatës për të gjetur një zgjidhje. Jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me unionin e sindikatave të Evropës dhe kemi marrë letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve”, tha ai mes tjerash.
Ai gjithashtu njofton se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me Sindikatën e Arsimit nga Shqipëria.
“Jemi në komunikim edhe me vëllezërit tonë nga Shqipëria, të cilët në emër të sindikatës kanë ardhur në Kosovë për të shprehur mesazhin e solidaritetit dhe mbështetjes. SBASHK-u dhe sindikatat tjera janë të hapura për të dialoguar me Qeverinë. Deklarata e ministres së Arsimit se dyert janë të hapura, por SBASHK-u nuk do dialog janë një porosi e gabuar. Në të kalurën jemi takuar me të, por tani nuk po ka kohë sepse po shkon në vizita”, thotë Jasharaj.
Mësimi, i cili tradicionalisht, ka filluar më 1 shtator për të gjithë nxënësit, nuk po fillon akoma. /KultPlus.com