6 Tetor, 2020 - 12:00 pm
Para diskutimeve për drejtësinë gjinore dhe diversitetin, pritet që edhe nga Fondacioni që jep Çmimin Nobel të bëhet më shumë. Deri tani janë nderuar me çmimin “burra të moshuar, të bardhë”. A do ketë ndryshime në 2020?
Çmimet Nobel kanë mbështetur shumë gjëra, por jo diversitetin dhe drejtësinë gjinore. Duke filluar nga viti 1901 janë nderuar me Çmimin Nobel krah 25 organizatave 923 shkencëtarë, shkrimtarë dhe “nxitës paqeje”. Por, jo vetëm në fushën e shkencave natyrore, fituesi tipik i Çmimit Nobel është burrë, i moshuar dhe i bardhë.
Pothuajse të gjitha çmimet janë dhënë në Europë ose SHBA. Japonia ka marrë vetëm 28, Australia 14, India 12, Afrika e Jugut 11 dhe Kina duhet të kënaqet me 8 çmimet që ka marrë. Përjashtime nuk ka as në fushën e shkencave.
Ndryshime të mëdha kryesisht në çmimet e dhëna në shkencë
Mosrespektimi i ndryshimeve gjinore shihet kryesisht në çmimet e dhëna në shkencë, të cilat zakonisht janë dhënë për burra të moshuar, duke argumentuar se shkenca është tradicionalisht një fushë që dominohet nga burrat dhe se shpesh janë dhënë çmime për zbulimet shkencore të bëra shumë vite më parë.
Gratë nderohen më rrallë – Çmimin Nobel në fushën e ekonomisë e mori vitin e kaluar ekonomistja franceze Esther Duflo
Mes gjithë atyre që kanë marrë Çmimin Nobel ka 54 gra, shifër që nuk zë as 6 përqind të numrit të përgjithshëm. Prej tyre Marie Curie ka marrë dy herë çmimin, më 1903 në fizikë dhe tetë vjet më vonë në fushën e kimisë. Gjithsej 12 Çmime Nobel dhënë në fushën e mjekësisë i janë dhënë grave. 5 në fushën e kimisë dhe 3 në fushën e fizikës kanë qenë po ashtu gra. Kurse 17 çmime dhënë në fushën e letërsisë dhe paqes, janë dhënë për gra. Për shembull, vitin e kaluar Çmimin Nobel në letërsi e mori shkrimtarja polake Olga Tokarczuk. Po ashtu Çmimin Nobel në fushën e ekonomisë e mori vitin e kaluar ekonomistja franceze Esther Duflo. Pra në vitin 2019, mes 15 të vlerësuarve me Çmimin Nobel vetëm 2 ishin gra.
Marrës të diskutueshëm çmimi
Çmimi Nobel konsiderohet deri në ditët e sotme si vlerësimi më i lartë që jepet në disiplinat e caktuara, megjithëse sidomos vitin e kaluar pati vendime që u diskutuan shumë dhe pati skandale. Çmimi është krijuar nga Alfred Nobel, i cili e vuri pasurinë me lëndët eksplozive. Shumë të diskutueshme kanë qënë dhënia e Çmimit Nobel për Barack Obamën, i cili e fitoi çmimin kur nuk kishte mbushur ende nëntë muaj në post, ose për udhëheqësin e palestinezëve Jasir Arafat, ose për “Projektin e paqes”, Bashkimin Europian. Kurse Mahatma Gandhi, figura symbol për luftën e padhunshme kundër padrejtësive dhe shtypjes, nuk e mori kurrë Çmimin Nobel, megjithëse mori shumë çmime të tjera.
Të diskutueshme kanë qenë edhe dhënia e Çmimit Nobël në letërsi, finlandezit Eemil Sillanpää, i cili nuk njihet dhe lexohet prej kurrkujt, Edmund Martinsonit, i cili duke qenë anëtar i Akademisë së Nobelit ia dha çmimin vetes si të thuash, dhe pak kohë pas marrjes së çmimit vrau veten. Ose dhënia e çmimit vitin e kaluar austriakut Peter Handke, i cili sipas mendimit të kritikëve ka banalizuar ose mohuar krimet e luftës të bëra nga serbët në luftën e Jugosllavisë.
Në shkencat natyrore ka më pak persona të diskutueshëm që marrin çmimin, kjo sigurisht edhe sepse lënda është shpesh komplekse. Megjithatë, në vitin 1926 Çmimin Nobel për mjekësinë e mori patologu danez Johannes Grib Fibiger, për zbulimin e një krimbi që shkaktonte kancer në stomak, zbulim që më vonë doli se ishte i gabuar. Kanadezi John Macleod mori në vitin 1923 çmimin e famshëm, megjithëse kishte shkuar me pushime duke qenë i punësuar nga Instituti i tij, që bëri zbulimin e insulinës. Në vitin 2002, Çmimin Nobel në kimi e mori japonezi Koichi Tanaka për zhvillimin e një procesi lazeri, të cilin e përdor vetëm ai vetë.
Më shumë çmime për gratë më 2020?
Shpesh grate janë vënë në hije të burrave sidomos në fushën e shkencave. Edhe studiuese që kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm në fushat kërkimore për të cilat është dhënë Çmimi Nobel, nuk janë vlerësuar.
Mes tyre bëjnë pjesë sigurisht Lise Meitner (zbuluesja e çlirimit të energjisë gjatë shpërthimit bërthamor), Jocelyn Bell Burnell (zbuluesja e yjeve neutron rrotulluese – pulsare) ose austronomja Vera Rubin, e cila zbuloi në vitet 1970-të dëshminë e parë bindëse për ekzistencën e materies së errët. Në vend të saj, për këtë temë u vlerësuan vitin e kaluar tre astro-fizikantë burra.
Studiuese të rëndësishme në vend të kuotës së grave
Në kohërat që diskutohet shumë drejtësia gjinore dhe diversiteti, nga Fondacioni Nobel pritet më shumë këtë vit. Në shkencat natyrore janë bërë vitet e fundit ndryshime sa i përket strukturës dhe ka shumë kandidate që e meritojnë një Çmim të tillë. Që prej vitit 2012, si kandidate për të marrë çmimin konsiderohen zbulueset e gërshërës gjenetike Crispr CAS9, një procesi të ri për ndryshimin gjenetik të AND, Emmanuelle Charpentier dhe Jennifer Doudna./DW/ KultPlus.com