19 Maj, 2023 - 8:45 pm
Java e Evropës, ditën e djeshme i përqëndroi aktivitetet e saj në Peshkopi me minipanairin me prodhues vendas dhe ekspozitën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bletëve. Ky aktivitet u përkrah nga Ambasada e Sllovenisë. Më vonë pati rafting në ujërat e Drinit të zi, ku ka marrë pjesë edhe vetë ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.
Shefja e delegacionit të BE-së ka biseduar gjithashtu edhe me operatorë turistikë vendorë të projektit CBC dhe dita është mbyllur me një koncert magjik nga trio e talentuar austriake Alicia Edelweiss në shëtitoren e Peshkopisë.
Ndërkohë, sot aktivitetet e Javës Evropiane do të zhvillohen në Shkodër me thirrjen për të përjetuar bukurinë e Shkodrës në një festë për traditën dhe natyrën shqiptare.
Roland Tasho çeli fotoekspozitën me personazhe publike të veshura me xhubletë. Gjithashtu është organizuar edhe panairi “Xhubleta Fest”, për të nderuar veshjen tradicionale dhe për të vlerësuar mjeshtërinë vendase. Aktivitete të tjera të programuar për në Shkodër janë: shëtitje me biçikleta nga ura e Bunës deri në sheshin kryesor të Shirokës si dhe ekspozitë mbi natyrën e egër të zonës së Shkodrës./KultPlus.com