Java e Evropës prej 19 deri më 31 maj, BE hap thirrjen për artistët

4 Shkurt, 2025 - 1:35 pm

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri fton regjisorët, aktorët, muzikantët, koreografët, kërcimtarët, artistët vizualë, konceptualë dhe krijuesit ndërdisiplinorë për të sjellë në jetë idetë e tyre gjatë Javës së Evropës 2025, që do të zhvillohet nga data 19 deri më 31 maj.

Zyra e BE-së në Tiranë, publikoi sot në rrjetet sociale thirrjen për të gjithë artistët shqiptarë, që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Javës së Evropës 2025.

Përmes një sërë aktivitetesh artistike që përfshijnë disiplina të shumta, java synon të mëkojë prodhimin dhe performancën artistike dhe angazhimin e komunitetit, duke frymëzuar dhe lidhur komunitetet vendore në mbarë Shqipërinë. Këto aktivitete duhet të paraqesin rolin jetik të artit për përparimin e vizionit kulturor dhe social të Evropës.

Për këtë arsye, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton artistët dhe aktorët kulturorë shqiptarë të bëhen pjesë e programit të Javës së Evropës këtë vit, duke dorëzuar propozime për krijime artistike në disiplina të ndryshme. Këto propozime duhet të pasqyrojnë në mënyrë origjinale aspiratat e popullit shqiptar për integrim në BE dhe vizionin e tyre lidhur me kuptimin e BE-së, duke festuar këndvështrimet e ndryshme dhe shprehjet artistike që i paraqesin shqiptarët si pjesë integrale të BE-së.

“Çdo artist që kërkon një skenë për të shfaqur krijimtarinë e tij këtë vit, Java e Evropës 2025 do të jetë hapësira për të krijuar në: Performanca teatrore; të muzikës live; ekspozita të artit pamor ose konceptual; performancat e dansit bashkëkohor; ekspozita ose performanca artistike ndërdisiplinore,” njofton Zyra e BE-së në Tiranë.

BE ndau në rrjete sociale linkun: https://bit.ly/4103KqY, për detaje më të plota, teksa njoftoi se të gjitha kostot e performancës janë të mbuluara dhe aplikimet janë hapur deri në datën 3 mars 2025, me e-mail: [email protected]

Propozimet e përzgjedhura do të shpallen në 7 Mars 2025 në rrjetet sociale të BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri feston çdo vit Ditën e Evropës dhe Deklaratën Historike të Schuman të vitit 1950, e cila hodhi themelet e BE-së. Java e Evropës promovon vlerat e BE-së, angazhon qytetarët dhe thekson arritjet e BE-së përmes veprimtarive dhe aktiviteteve të ndryshme. Shfaqjet kulturore, seminaret dhe nismat edukuese mëkojnë bashkimin në diversitet, ndërgjegjësojnë lidhur me BE-në, dhe frymëzojnë pjesëmarrje, veçanërisht tek të rinjtë. Duke theksuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qëndrueshmërinë, forcohen partneritetet dhe theksohet angazhimi i BE-së për përparim të përbashkët.

Të ngjajshme