Java e Kulturës Britanike nis me ndeshje kriketi në sheshin ‘Skënderbej’

1 Shtator, 2022 - 10:30 pm

Nisi mbrëmjen e sotme me një ndeshje kriketi Java e Kulturës Britanike në Tiranë, që çel sezonin e dytë të Javëve të Kulturës Ndërkombëtare.

Skuadrat shqiptare dhe britanike të kriketit u ndeshën në një “miqësore” në sheshin “Skënderbej” duke sjellë për publikun lojën shumë të dashur për britanikët, por jo dhe aq të panjohur për shqiptarët.

Mjaft qytetarë u ndalën të shohin lojën dhe të informohen për rregullat e saj, ndërsa skuadrat performuan lëvizjet e tyre më të mira.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u shpreh në një intervistë, më herët se kriketi mund të mos jetë shumë i njohur në Shqipëri, por në Britani luhet ashtu si edhe në botë. “Shqipëria luan shumë futboll dhe e njeh mirë, kështu që menduam të prezantojmë edhe kriketin”, tha ai.

Java e Kulturës Britanike sjell për publikun shqiptar një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania e Madhe (1 deri në 11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor).

Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.

Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev./ KultPlus.com

Të ngjajshme