4 Nëntor, 2023 - 8:45 pm
Java e Kulturës Hungareze vazhdoi në ditën e saj të dytë me aktivitete në dy qytete të vendit, në Tiranë dhe në Vlorë.
Në një shfaqje mahnitëse të mjeshtërisë strategjike, dita e dytë e ekstravaganzës Chess ‘n Jazz erdhi me simultanen e realizuar nga Grandmaster Imre Hera.
Një nga lojtarët e shahut më të njohur në Europë, Hera u përball me një sërë sfidash paralele me talentet e reja të Federatës Shqiptare të Shahut, e cila zbriti me panteonin e saj të kampionëve europianë dhe botërorë.
Eventi intensiv u shoqërua me improvizimet xhaz të Fatjon Pulës, talentit të ri shqiptar të pianos. Kujtojmë që seria Chess ‘n Jazz do të vazhdojë në Tiranë te Galeria e Artit “Kalo” përgjatë gjithë Javës së Kulturës.
Paralelisht me aktivitetet në kryeqytet, qyteti i Vlorës u shndërrua në një qendër të gjallë të shprehjes artistike hungareze.
Qendra e Kulturës në Vlorë u bë skena e rradhës e festivalit dhe programacionit të pasur me kulturë hungareze. Me hyrjen falas, festimet e ditës mirëpritën një mori vizitorësh, duke i lënë ata të pasuruar nga përvoja dhe gjuha universale e artit, performancës dhe historisë së përbashkët.
Mbrëmja filloi me prezantimin e dy ekspozitave, të ndryshme në natyrën e tyre, por gjithaq tërheqëse për publikun vlonjat. “Petőfi: Rreth botës” erdhi si një ekspozitë kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Sándor Petőfi, poetit të famshëm hungarez, i cili këtë vit ka 200-vjetorin e lindjes. Nëpërmjet kësaj shfaqjeje vizuale dhe edukative, vizitorët u zhytën në botën e Petőfi, duke eksploruar ndikimin e tij të thellë në kulturën dhe historinë e Hungarisë. Kujtojmë që vetë Hungaria e ka shpallur vitin 2023 si vitin e Petőfi-t në nder të kësaj figure të madhe letrare dhe historike.
Njëkohësisht, artdashësit vlonjat u prezantuan me frymën inovatore të artistes hungareze Anna Konya, teksa çeli dyert ekspozita e saj “Liria e dashurisë”. Këtu, artistja hungareze komunikoi dashurinë e saj të thellë për Shqipërinë përmes artit abstrakt dhe intuitiv. Çdo vepër ishte një rrëfim i ngjyrës dhe formës, i ndërthurur me një mesazh të fortë të qëndrueshmërisë mjedisore, duke i shtyrë shikuesit të reflektojnë mbi tejkohësinë dhe dashurinë që kapërcen kufijtë.
Përtej ekspozitave, të pranishmit shijuan një kryevepër të rradhës me vendosjen në skenë të shfaqjes së fuqishme “Djemtë e rrugës Paul”. Me një regji fine nga Pëllumb Kulla dhe Xhulieta Kulla, ky adaptim i romanit të Ferenc Molnar, aq i dashur për lexuesit shqiptarë, u vendos mjeshtërisht në skenë. Produksioni, me në qendër nxënës të rinj të përgatitur profesionalisht nga çifti Kulla, solli nostalgji dhe një thellësi të jashtëzakonshme emocionale, duke i kthyer të pranishmit në pafajësinë rinore dhe sprovat e personazheve të dashur të Molnarit.
Surpriza e fundit e mbrëmjes ishte performanca e gjallë dhe ritmike nga grupi i vallëzimit popullor “Szinvavölgyi”. Interpretimi i tyre i “Valleve Petőfi ” ishte një vorbull hapash dhe ritmesh tradicionale hungareze, dëshmi e pasionit të grupit për trashëgiminë e tyre kulturore. Grupi “Szinvavölgyi”, i përbërë nga 20 anëtarë, vinte për herë të parë në Shqipëri, posaçërisht për “Hungarissimo”. Valltarët, të veshur me veshje shumëngjyrëshe, rrotulloheshin dhe kërcyen, ndërsa lëvizjet e tyre i bënin jehonë ritmeve të gëzueshme të folklorit hungarez./atsh/ KultPlus.com