8 Tetor, 2024 - 4:46 pm
Arti dhe kultura e Japonisë do të jenë të pranishme në Shqipëri nga datat 9 deri më 15 tetor përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Të interesuarit mund të bëhen pjesë e aktiviteteve si: festival filmi, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremoni çaji, dhe një turne karateje dhe judoje. Java Kulturore Japoneze ka se ç’te ofroje për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë autentike japoneze. Aktivitetet do të çelen nesër me një workshop mbi kulinarinë, ku një shef i mirënjohur do të përgatisë pjata tipike të kulturës japoneze. Ky event është një mundësi shumë e mirë për të thelluar njohuritë mbi teknikat dhe përbërësit unikë të kësaj kuzhine.
Prej nesër e deri më 15 tetor, në kinema “Maks Velo” në Tiranë, do të mbahet Festivali i filmit japonez, që do të sjellë për publikun 5 filma të animuar si: “Ride Your Wave”, “5 Centimeters per Second”, “Time of EVE the Movie”, “The Wonderland”, “The Place Promised in Our Early Days”.
Ndërsa në datën 12 tetor, në Universitetin Politeknik të Tiranës, do të organizohet ceremonia e çajit. Shtatë mjeshtra të ceremonisë së çajit do të njohin të pranishmit me çajin tradicional dhe ritualet e tij të veçanta. Gjithashtu mjeshtrat e çajit do t’u përgjigjen edhe pyetjeve apo kurioziteteve të të pranishmëve.
Më 13 tetor, në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Femijë, do të organizohet workshop-i, “Arti magjik dhe mijëvjeçar i origami”. Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar artin e palosjes së letrës, një traditë që ka ekzistuar për shekuj me rradhë dhe që vazhdon të frymëzojë njerëzit në të gjithë botën.
Do të jetë një simpozium që do të mbyllë Javën Kulturore Japoneze, që do të mbahet në Universitetin Politeknik të Tiranës. Aktiviteti ofron informacione nga përvoja reale të atyre që kanë qenë ose kanë studiuar në Japoni.
Pas Japonisë, do të jetë radha e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sjellë ngjarje kulturore nga më të ndryshmet./atsh/ KultPlus.com