30 Maj, 2022 - 1:15 pm
Nga 31 maj deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë.
Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e Qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian.
Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore.
Java e Kulturës së Italisë do të nisë në 31 maj me një sfilatë kostumesh tradicionale të epokës në sheshin Skënderbej, ndërsa në 1 qershor do të zhvillohet ceremonia e ndezjes së dritave artistike po në Tiranë.
Në kalanë e qytetit të Gjirokastrës do të hapen ekspozita e pikturës “Nën heshtjen e dritës” e piktorit vendas Gazmend Koçollari, ekspozita “Fotografitë italiane në qarkun e Gjirokastrës” kuruar nga Prof.Harallamb Margariti, si dhe do të shfaqet filmi “Arkitektura italiane e viteve ‘900” me regji të Ëngjëll Seriani. Po në kalanë e Gjirokastrës do të jepet koncerti i kuartetit “Motel Kaiju” nën drejtimin e Niccolo Faraci.
Ndërsa po në 1 qershor në sheshin Skënderbej në Tiranë do të zhvillohet Flash-mob me trupën e baletit të Tiranës, si dhe do të shfaqet “Ballo me maska” me skenografi dhe veshje tradicionale të kohës.
Në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës do të shfaqet filmi “Vallëzimi i gishtërinjve në instrumentin muzikor” me regji të Riccardo Giacconi, si dhe çelja e siparit të festivalit “Ekrani i artit” nga Adrian Paçi me shfaqjen e filmit me metrash të shkurtër.
Pjesë e aktiviteteve në 2 qershor janë edhe ekspozita fotografike mbi gjurmët italiane në qarkun e Beratit, që do të zhvillohet në pedonalen e qytetit të gurtë, në Qendrën Rinore do të dhurohen libra në gjuhën italiane, në Shkodër do të shfaqet dokumentari i realizuar nga Maddalena Bregani, ndërsa në sheshin Skënderbej në Tiranë do të shfaqet koncerti Verdi-Off, ku banda do të luajë pjesë nga Verdi dhe muzikë shqiptare.
Në 3 qershor në qytetin e Vlorës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme si Maratona e Poezisë Italiane, panair Kulinaria Italiane, shfaqje e grupit të flamurtarëve, etj.
Ndërsa në 4 qershor në sheshin Italia në Tiranë do të zhvillohet “Pizza Village”, kushtuar shijimit të picës dhe artit tradicional, si dhe do të organizohen koncerte të ndryshme në Shkodër dhe Tiranë.
Gjatë ditëve të fundit të Javës Kulturore të Italisë pjesë e programit janë “Kultura arbëreshe, trashëgimi kulturore botërore”, nismë për promovimin e kulturës arbëreshe nën kujdesin e qarkut Puglia dhe të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, “Arkitekturë e qëndrueshme mjedisore dhe humanitare”, një nismë që eksploron rolin e arkitekturës si mjet për të përmirësuar cilësinë e jetës në kushte emergjencash, si dhe koncerti i këngëtarit të njohur italian Albano Carrisi në kryeqytet.
Javët Ndërkombëtare të Kulturës, nismë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera. E parashikuar në plan njëvjeçar, ky kalendar me aktivitete do të kthehet në traditë.
Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të na njohin me kulturat e shumë shteteve deri në qershor. Kalendari ndërpritet për dy muaj dhe rifillon sërish në shtator./ atsh /KultPlus.com