Java Kulturore Britanike sjell në shtator festivalin e kuruar nga Lea Ypi

14 Gusht, 2024 - 4:11 pm

Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen së shpejti për t’i dhënë gjallëri jetës kulturore në vend. Një prej aktiviteteve që pritet të nisin në muajin shtator, është EA Festival – Freedom & Transformation. Ky festival vjen në Shqipëri përgjatë Javës Kulturore Britanike.

EA Festival – Freedom & Transformation është një festival idesh kuruar nga Lea Ypi, profesore në Teori Politike ne Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, Profesore Nderi në Filozofi në Universitetin Kombëtar Australian, autore e librit “Të Lirë”, përkthyer në 30 gjuhë të botës.  Festivali vjen në Durrës e Tiranë më 21 dhe 22 shtator.

“Liri dhe Transformim” është një event dyditor kulturor ku shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.

Organizatorët e JKN ftojnë të bëheni pjesë e EA Festival për të përjetuar një pelegrinazh idesh drejt lirisë dhe shpresës pasi letërsia dhe arti kanë aftësinë magjike për të ndryshuar mendje dhe zemra./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme