5 Nëntor, 2024 - 1:07 pm
Në përfundim të Javës Kulturore Spanjolle mbërrin Java Kulturore e Malit të Zi. Nga data 7 e deri në 12 nëntor publiku do të ketë mundësi të ndjekë një sërë aktivitetesh që do të bëjnë bashkë artin e traditën për një festë të vërtetë kulturore gjatë kësaj jave të jashtëzakonshme.
Java Kulturore Malazeze ka në program një gamë të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga kinematografia, ekspozita të artit bashkëkohor dhe kartografike, workshop mbi përkthimin letrar dygjuhësh, duke përfunduar me koncert muzikor dhe shfaqje teatrale.
Përveç Tiranës Java Malazeze shkon edhe në qytetin e Shkodrës me shfaqjen teatrale “Butterfly” e cila do të vihet në skenën e Teatrit “Migjeni”.
Organizatorët ftojnë artdashësit t’u bashkohen këtyre aktiviteteve për të festuar dhe shijuar pasurinë kulturore të Malit të Zi, duke premtuar se do të jetë një javë e mbushur me frymëzim, kreativitet dhe kulturë./atsh/KultPlus.com