Java Kulturore Spanjolle, kërcimtarja më e mirë e flamenkos “magjeps” Tiranën

5 Nëntor, 2024 - 11:51 am

“Bienvenido a flamenco” ishte recitali i Rocío Garridos, valltares nga Spanja e cila interpretoi mbrëmë në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse, në Tiranë.

Recitali i flamenkos erdhi në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Rocío Garridos është fituese e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare si kërcimtarja më e mirë e flamenkos. Kërcimi i saj ka fuqinë për të sjellë ndjeshmërinë e kitarës në çdo lëvizje, duke rritur emocionin e këndimit dhe duke krijuar muzikë me ritmin e trokitjes së këpucëve.

Flamenco, me rrënjët e tij të thella në kulturën spanjolle, është një kombinim i mrekullueshëm i muzikës, kërcimit dhe shprehjes emocionale, që përfshin ritme të ndryshme dhe improvizim të jashtëzakonshëm.

Emocionet e kësaj forme arti të lashtë që vazhdon të frymëzojë dhe magjepsë njerëzit në të gjithë botën, pati mundësinë t’i përjetonte edhe publiku i kryeqytetit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme