25 Korrik, 2020 - 9:39 am
Shpresat e shumë njerëzve në botë janë te vaksina për të kaluar gjendjen me pandeminë COVID-19, që ka infektuar më shumë se 15 milionë njerëz nëpër botë dhe ka mbytur mbi 630 mijë njerëz.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se janë 25 vaksina potenciale për koronavirus që po testohen klinikisht.
Në SHBA, qeveria po financon disa projekte për gjetjen e vaksinës, përmes një programi të saj. Njërën prej vaksinave po e zhvillon Qendra e Kërkimit të Vaksinave në Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektuese, me partneritet me kompaninë e bioteknologjisë, Moderna.
Javën tjetër pritet të nis testimi i fazës së tretë për këtë vaksinë. Kjo fazë pritet të përfshijë 30 mijë vullnetarë. Do të vlerësohet nëse vaksina mbron njerëzit nga koronavirusi, ka shkruar CNN.
Rezultate preliminare të studimit të fazës së parë ishin publikuar në mes të korrikut. Studimi kishte treguar se vaksina, e dhënë në tri doza të ndryshme, shkaktonte reagim imunitar te njerëzit që e morën atë. Sa më e lartë që ishte doza aq më i lartë ishte imuniteti i krijuar. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve megjithatë kishin efekte anësore, duke përfshirë lodhje, të dridhura, dhembje koke, dhembje të muskujve dhe dhembje në vendin e injektimit.
Testimi i fazës së tretë do të përfshijë një dozë të mesme, 100 mikrogramë.