31 Maj, 2021 - 4:55 pm
“Javët e Europës 2021” u mbyllën mbrëmjen e djeshme, ndërsa delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri organizoi një aktivitet në Kalanë e Butrintit.
I ftuar për të bërë këtë mbyllje në një mënyrë dinjitoze ishte artisti virtuoz, pianisti dhe kompozitori unik shqiptar Robert Bisha. Koncerti u mbajt në një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti falënderoi në lidhje me këtë mbrëmje ku u ndërthur harmonia dhe bukuria e trashëgimisë tonë kulturore.
“Faleminderit zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, që gjatë këtyre ditëve dëshmoi dimensionin europian të shqiptarëve” është shprehur Margariti.
Nisur që më 9 maj dhe deri të shtunën më 29 maj, “Javët e Europës 2021” u festuan me një udhëtim 21-ditor nga veriu në jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë./atsh/ KultPlus.com