25 Gusht, 2022 - 9:45 pm
Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022, një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës, do të rifillojnë në muajin shtator.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se “gjatë muajve prill-korrik u zhvilluan 171 aktivitete, që sollën ngjyra e shije nga vende të ndryshme të botës”.
E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, kushtuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajë mesazhe paqeje dhe pranimi.
Katër shtetet e para që do të rihapin sezonin e Javëve Kulturore do të jenë: Britania e Madhe (1 deri në 11 shtator), Suedia (12-18 shtator), Egjipti (19-25 shtator) dhe Kina (26 shtator – 2 tetor).
Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.
Muajt e verës, projekti pati një ndërprerje. Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev./ KultPlus.com