30 Shtator, 2023 - 10:58 am
Java e Kulturës Gjermane, e cila zhvillohet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, përkon edhe këtë vit me “Tetorin gjerman”, i cili sjell aktivitete të përvitshme të kulturës gjermano-shqiptare, që në Shqipëri organizohen rregullisht që nga viti 2007.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi aktivitetet kryesore të kësaj jave, të cilat do të kenë në fokus muzikën, fotografinë, letërsinë dhe kulinarinë.
“Gjermania mike vjen te ne përmes kulturës”, u shpreh Rama, ndërsa ndau videon informuese.
Ndërkohë aktivitetet kryesore të këtij viti të “Tetorit Gjerman” mbajnë moton “Larmia jonë – Forca jonë”.
Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) janë një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës./atsh/KultPlus.com