Jemi shumë vonë edhe për një reagim të vonuar

2 Dhjetor, 2023 - 5:31 pm

Shkruan: Fitim Uka

Para se të jetë vrasje është dhunë fizike… para se të jetë dhunë fizike është presion psikologjik, para se të jetë presion psikologjik është dhunë verbale… e para dhunës verbale është cenim i lirisë, kufizim, kontrollim… e dikur janë të gjitha bashkë në një rend që duket kaotik (por nuk është i tillë). Ne reagojmë kundër vrasjeve dhe këtë e bëjmë vetëm pasi vriten brutalisht gratë, por heshtim kur është dhunë psikologjike që ushtrohet çdo ditë ndaj tyre. Prandaj, gjithëherë jemi shumë vonë.

Ne heshtim përballë dhunës,
Ne shohim dhe njohim dhunën, jemi dëshmitarë të dhunës në familje; çdo ditë lexojme për dhunën në shkolla; shohim pamjet e rrahjeve, përplasjeve dhe konflikteve fizike në hapësirat publike (ndonjëherë edhe bëjmë tifo); por në të shumtën e rasteve jemi vëzhgues pasiv dhe të heshtur të saj. Meqë nuk na ndodh neve, kujt i bën për të!
E në fakt, dhuna modelohet. Kush dhunohet sot, mund të kthehet në një dhunues nesër… Kush e vëzhgon dhunën sot, mund të jetë demonstures i dhunës nesër. Por, ne heshtim përballë dhunës dhe kështu e kemi kthyer në një kulturë të pranueshme, pa e kuptuar që kështu po bëhemi një me të! Duke heshtur, inkurajojmë gabimisht gratë që të durojnë edhe dhunën fizike… I njohim dhe i shohim teksa ato dhunohen fizikisht, por prap heshtim, derisa ato të kthehen në viktima.

Ne heshtim përballë presionit dhe traumës psikologjike,
Na rrëfejnë, i shohim dhe i dëgjojmë, jemi prap vëzhgues pasiv të përvojave që iu ndodhin nënave, motrave, vajzave tona… njohim dhe shohim dhunën, përmbajtja e të cilës nuk është fizike, por mund të jetë edhe më e rëndë se kaq – dhunë psikologjike e me pasoja afatgjate. Hulumtimet tregojnë që çdo e dyta grua e ka përjetuar provokimin e ndjenjës së frikës, rrezikut personal, apo kërcënimit të dinjitetit. Ju ftoj që për pak të mendoni se si është ndjenja e të qenurit në lëkurën e atyre që zgjohen me frikën e përjetimit të dhunës, si është të ballafaqosh për çdo mbrëmje kërcënimin që mund të mos jesh nesër?! Dhe, ne prap heshtim. Sepse kërcënimi nuk është aq i rrezikshëm sa vrasja, derisa nuk bëhet vrasje – për të qenë shumë vonë.

Ne heshtim kur cenohet liria,
Harrojmë që ndonjëherë plagët e trupit, sado të rënda, peshojnë më pak se disa plagë shpirti. Harrojmë ndonjëherë, që çdo mjet që përdoret për të shkaktuar lëndime trupore, mund të jetë më pak i dëmshëm se sa gjuha, fjala, komunikimi denigrues që thyen ëndrrat e godet shëndetin e mirëqenien psikologjike… dhe përcjell gjithë jetën. Harrojmë, që kur cenohet liria, është dhunuar qenia, është zvetnuar humaniteti i saj, dhe ka vdekur pa e kuptuar. Prandaj, kufizimi, kontrollimi, imponimi janë shenjat e para të asaj që nesër mund të jetë vrasje. Dhe, nëse heshtim sot, nesër mund të jetë vonë.

Por, ne heshtim, e duke heshtur bëhemi një me dhunën dhe krimin. Pandehim pafajësinë, teksa sodisim me sy hapur se si shoqëria përjeton një kolaps vlerash dhe si lakmia merr tipare çmendurie. Teksa, vrasja e njeriut është një akt i vetëm, një shoqëri vritet në proces – gradualisht dhe me gjakftohtësi, kështu duke heshtur e duke e refuzuar fajin. Ne, jemi të parët për t’i gjetur arsyen një vrasjeje, por harrojmë që arsyet janë të shumëfishta e të ndërvarura. Harrojmë dhe injorojmë faktorë të panumërt, që na kanë kthyer në një shoqëri të dhunshme, në vrasës, në kanibal. Harrojmë që ne jemi bashkëfajtorë!

Ne heshtim,
atëherë kur edukimi i fëmijëve është larg standarteve dhe renditemi të fundit në PISA,
atëherë kur fëmijët tanë ekspozohen lirshëm në përmbajtje të tmerrshme agresive në platforma të ndryshme audio-vizuale,
atëherë kur dëgjojnë dhe shijojnë me zë të lartë fjalor urrejtjeje dhe internalizojnë atë,
atëherë kur superheronjtë e fëmijëve tanë janë tufa rrugaqërish, që nuk prezantojnë asnjë vlerë,
atëherë kur përdhunohet intelekti ynë me atë që prezantohet dhe miratohet si vlerë dhe ku thashethemja është prioritet (që të mos përmend emra),
atëherë kur fëmijët tanë përballojnë kriza të ndryshme identiteti, përjetojnë stres a antkh, e fshehim dhe nuk e diskutojmë me askënd.
Ne heshtim dhe bashkë me heshtjen rrisim një brez fëmijësh që dhunën e kanë parë, e kanë dëgjuar, e kanë modeluar dhe presin për ta vënë në pah si “potencial”. Pastaj, kur ndodh vrasja jemi të zëshëm… protestojmë kur vriten gratë, dhe ky reagim zgjat disa ditë… dhe ne prap heshtim. Heshtim, dhe me heshtjen, vrasim qetas jo vetëm gratë, por gjithçka që na bën njerëzor.

Prandaj, është vonë të reagohet sot, e edhe më vonë do të jetë nesër, teksa dje kemi soditur rrënimin e secilës vlerë njerëzore (sot po bëjmë po kështu). Parandalimi është rruga e vetme, por mund të jetë edhe larg edhe vonë… por domosdoshmërisht duhet veprim. E parandalimi kultivohet në familje, në shkollë, në rrugë, në medie dhe është produkt i multisistemeve. Nuk është pronë e deklaratave të mira e kampanjave pa takt (të fragmentuara dhe të pakoordinuara), dënimeve verbale, por pronë e punës dhe e përkushtimit të mirëfilltë njerëzor. Është model – shembull.
Le ta nisim nga vetja, nga familja jonë, në lagjen tonë, në shkollën e fëmijëve tanë, në vendin tonë të punës, për të krijuar një normë të re, që dhunën e sheh si të papranueshme dhe e lufton para se të nxjerrë krye! /KultPlus.com

Të ngjajshme