23 Gusht, 2023 - 11:15 pm
Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.
Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.
Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.
KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.
Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.
Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit.
Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani. /KultPlus.com