Jole: Digat, një nga pasuritë më të mëdha të shtetit shqiptar

12 Korrik, 2023 - 10:38 am

Në një kohë kur stina e nxehtë e vitit, bashkë me temperaturat e larta, sjell edhe pakësimin e rezervave hidrike, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, sjell në kujtesë një nga pasuritë më të mëdha të shtetit shqiptar siç është infrastruktura e digave.

Prefekti Jole është takuar me kryetarin e Komitetit të Digave të Mëdha, Arjan Jovani, gjithashtu autor i botimit më të ri me informacione të detajuara për digat kryesore në Shqipëri.

“Shfrytëzimi, mirëmbajtja dhe siguria e tyre është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe domosdoshmëri jetike për garantimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të sistemeve vaditëse”, është shprehur prefekti Jole.

Shqipëria renditet e 19-ta në rang botëror, për numrin e lartë të digave dhe renditet e para në Europë për numrin e digave të mëdha për 1000 km2, si dhe për numër të digave të mëdha për 1 milion banorë.

Sipas Rregjistrit Kombëtar të Digave të Mëdha, në vendin tonë aktualisht janë 351 diga të mëdha.

Vetëm në Qarkun e Korçës janë nën administrim rreth 120 rezervuarë ujëmbledhës, prej të cilëve 43 të digave të mëdha. Bashkia e Korçës ka në administrim 25 rezervuarë, 9 prej tyre me diga të mëdha. Bashkia Maliq, 34 rezervuarë, 3 prej të cilëve kanë diga të mëdha. Bashkia Devoll ka në administrim 14 rezervuarë, 9 me diga të mëdha. Pogradeci 17 rezervuarë ku prej tyre 13 janë rezervuarë të digave të mëdha ndërsa Bashkia Kolonjë ka 26 rezervuarë ku 7 prej tyre me diga të mëdha./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme