18 Maj, 2020 - 9:40 pm
Drejtorja ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, theksoi në “Ilva Now” se protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit nuk është politizuar.
Ajo nënvizoi se kauza e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar jetoi gjatë dhe kjo sipas saj është për t’u admiruar.
“Unë nuk e shoh të politizuar, por mendoj se funksioni i Partisë Demokratike është aty ku ka kauza. Kjo ishte një kauzë e saktë, e drejtë dhe që do të mbetet gjatë në histori. Me të vërtetë kishin një lloj shprese dhe qyetarët e mbështetën këtë lëvizje për teatrin për një kohë të gjatë. Kjo ishte një rezistencë, që u çuditën se si rezistoi kaq gjatë”, tha ajo.
Ajo shtoi më tej se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka dy rrugë; ose të bashkohet me opozitën, ose të shndërrohet në parti politike. Pedagogia, Jonila Godole, u shpreh se godina mbante shumë simbolikë, ndërsa shtoi se mospërkujdesja 30-vjeçare për atë, tregoi dhe faktoi se qëllimi parësor ka qenë rrënimi dhe jo restaurimi i saj.
Në fund Godole theksoi se me këtë akt kreu i bashkisë, Erion Veliaj do mbahet mend si personi përgjegjës që firmosi shkatërrimin e godinës.
“Ajo godinë u la qëllimisht pa i vënë dorë 30 vjet, ajo donte restaurim, por nuk mund të zhdukej si godinë. Ajo godinë më dhemb edhe për një gjë tjetër: ajo ishte një godinë simbolike. Ajo ka qenë që para luftës. Politika nuk e ka mbështetur dhe e ka lënë kastile për ta shkatërruar. Më vjen keq, pasi ai (Erion Veliaj) do të mbahet mend si një person jo vetëm që vendosi firmën, por edhe në mes të natës e shembi në mënyrë tinëzare”, theksoi ajo. /euronews/ KultPlus.com