20 Nëntor, 2023 - 1:27 pm
Fondacioni Lumbardhi me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëpunim me familjen Shukriu, ka filluar dixhitalizimin e arkivit personal të Muhamed Shukriut, drejtor dhe themelues i “Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore” në Prizren dhe figurë kyçe e ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore dhe institucioneve të saj në qytet.
Koleksioni përfshin fotografi nga jeta private dhe profesionale, si dhe materiale te ndryshme te shkruara si shkresa, dokumente zyrtare, skenarë, plan-programe, inventarizime dhe korrespondenca, në lidhje me menaxhimin e trashëgimisë dhe ndër tjera themelimin e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore dhe të Natyrës – Prizren (1967-1981), Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeun Arkelologjik, Muzeun e Elektroekonomisë së Kosovës “Hidroelektrana”, ekspeditën e UNESCO-s dhe projekte tjera të rëndësisë lokale e kombëtare. / KultPlus.com