21 Mars, 2025 - 10:30 pm
Sot, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, në sheshin e Kaçanikut u organizua një aktivitet sensibilizues në mbështetje të personave me sindromën Down, në mbështetje të aftësive, forcës dhe qëndrueshmërisë së tyre unike.
Në këtë aktivitet u përçua mesazhi se së bashku mund të ndërtohet një shoqëri ku të gjithë vlerësohen dhe pranohen për atë që janë.
“Ne mund t’i dëshmojmë vlerat tona humane vetëm kur tregojmë solidaritet dhe mbështetje ndaj personave me nevoja të veçanta. Ata janë pasuri e madhe shoqërore e kulturore. Ata asnjëherë nuk janë barrë”, kanë thënë organizatorët.
Në këtë aktivitet të organizuar me mbështetjen e doktorit dhe stomatologut nga Kaçaniku, Dr. Astrit Sokoli nga “Mici Dent”, dhe bashkëpunëtorëve “Shigjeta”, morën pjesë edhe shumë përfaqësues dhe personalitete të njohura.
Në koordinim me Policinë e Kosovës, u realizua një parakalim i fëmijëve me sindromën Down të cilët kishin veshur uniformën e policisë. Ata shpërndanë kartolina, vallëzuan së bashku dhe ndanë shumë momente të mira mes vete, ku komuniteti i Kaçanikut tregoi një solidaritet në rritje, pasi për herë të parë u organizua diçka e tillë në këtë komunë./ KultPlus.com