18 Janar, 2020 - 11:50 pm
Diplomatja shqiptare Besiana Kadare përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në eventin kulturor që u organizua për t’iu dalur në ndihmë viktimave të shkaktuara nga tërmeti në Shqipëri.
Postimi i plotë i saj:
Ishte një kënaqësi e veçantë të organizoja në Misionin e Shqipërisë pranë OKB-se një event kulturor me artistë shqiptare, me qellim mbledhjen e fondeve për t’iu ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit tragjik që ra në Shqipëri nëntorin e kaluar.
Mirënjohje e thellë dhe falënderime të përzemërta për të gjithë anëtarët e diasporës që iu përgjigjen ftesës dhe me bujarinë e tyre karakteristike u solidarizuan duke dhënë kontributin e tyre.
Një falënderim i veçantë për artistët që performuan falas një koncert bamirësie të mrekullueshëm, me këngë e muzike shqiptare, moderne dhe tradicionale: Dëshira Ahmeti, Mira Konci, Ergin Oda, Riad R. Ymeri, Elona Muca, Arian Kerliu, Kreshnik Zhabjaku, Enika Gjogoreci.
Falënderoj gjithashtu Evi Kokalarin dhe fondacionin Kokalari që sponsorizoi eventin me ushqimin dhe pijet.
100% e fondeve do të derdhen në llogarinë e krijuar nga qeveria shqiptare për Emergjencat Civile në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti: e-Albania.al/dhuro.
Se fundi do të doja të shprehja mirënjohje për komunitetin shqiptaro amerikan në tërësi, i cili ishte nga të parët që u mobilizua për t’i ardhur në ndihmë bashkëkombësve të tyre në nevojë. /KultPlus.com