9 Korrik, 2024 - 9:14 am
Ishte viti shkollor 1986/87 dhe unë isha në vitin e parë të shkollës së mesme. Profesoresha e lëndës Gjuhë dhe Letërsi shqipe, znj. Igballe Blakaj, në Gjimnazin e atëhershëm të Prishtinës “Ivo Llola Ribar”, (sot “Sami Frashëri”) erdhi e mërzitur atë ditë.
Arbnora Dushi
E pëlqeja shumë profesoreshën se e doja shumë letërsinë, apo e pëlqeja letërsinë se e doja shumë profesoreshën, nuk di ta them sot, por e di se çdo ditë që kishim lëndën e letërsisë unë shkoja me shumë dëshirë në shkollë. Po, vërtetë ashtu ishte. Erdhi atë ditë ajo dhe sapo e shënoi orën, me fytyrë të ngrysur, na njoftoi se nga Inspektorati i Arsimit kishte ardhë njoftimi se “Librat e shkrimtarit Ismail Kadare duhet të largohen nga lista e lektyrës shkollore!” Por, vazhdoi ajo, – ju mos i largoni nga lista juaj! Ne nuk mund t’i punojmë në klasë, por ju vazhdoni t’i lexoni librat e Kadaresë, madje jo vetëm këto që i kemi në listë! – dhe e mbylli me kaq për të vazhduar me zhvillimin e një njësie nga gjuhësia. Ishte kohë kur çdo fjali duhej thënë e matur, sepse shumë lehtë krijoheshin nënkuptime, madje edhe atëherë kur ke folur pa nënkuptim. Heshtja matej me ar dhe heshtjen e saj, kësaj radhe, e mirëkuptuam ne. Ishte zgjatim i porosisë së saj edukative se, ndalesa është e panatyrshme dhe e përkohshme, përderisa i përhershëm dhe i natyrshëm është leximi i veprave të Kadaresë dhe një “njoftim” i tillë duhet ta merrnin si të parëndësishëm për iluminimin e mendjes sonë në jetë.
E kujtoj që ishte “Kronika…” libri i Kadaresë që u hoq nga lista e gjimnazistëve të vitit të parë, ai i cili më futi në shtigjet e rrugëtimit kadarean, bashkë edhe me porosinë e profesoreshës, që ta rris listën me lexime të librave të tij. Në fakt, në atë kohë, për shumëkë “pengesat” që na vini nga lart, arrinin efektin e kundërt. Ne bëheshim edhe më kërkues dhe zhvillues mu aty ku pengoheshim e zhvilloheshim. Ishin kohëra tjera dhe guximin e kishim tjetër… Gjirokastra e Kronikës për mua u bë një qytet përrallor, të cilit ia njihja sterrat e skutat, bashkë me të gjithë personazhet kontravers që lëviznin në kalldërmet e saj. Madje ky imazh fantastik nuk më është shqitur edhe sot, pas dhjetëra herëve që e kam vizituar përfshirë edhe katër festivalet folklorike kombëtare, ku sfidat me akomodimin, sidomos në vitet e fillimit, ishin sakrificë në vete.
Listën time e shtova shpejt me “Urën me tri harqe”. Mbeta e mrekulluar me riformatimin e mitit të flijimit. Edhe pas leximit e kujtoj që m’u deshën disa ditë që të dilja nga atmosfera e librit, sepse nga dehja me madhështinë e librit, gjithçka që më rrethonte në realitet filloi të më dukej triviale dhe të më iritonte. E kujtoj që m’u deshën ditë t’Iipranoja natyrshëm njerëzit rreth meje që flisnin pa figura e pa aluzione artistike. Më dukeshin shumë të varfër shpirtërisht ata që nuk e kishin lexuar Kadarenë. Njësoj, në mos më tepër, më ndikoi “Doruntina” me misticizmin që ia kishte brumosur shkrimtari baladës së besës. Ftohtësia që e përcillte udhëtimin e motrës mbi kalë me vëllain e vdekur, vetëm natën nga frika se zbuloheshin, më bënte të mërdhija edhe unë gjatë leximit. M’u pat shtuar kureshtja t’i lexoj baladat popullore, sepse ky roman përveç kureshtjes ma nxiti dhe ma rrit dashurinë për to. Ndonëse para Kadaresë, ishte Mitrush Kuteli që më pat njoftuar me baladat nëpërmjet “Tregimeve të moçme shqiptare”, tani fillova t’i kërkoj ato edhe tek blejtë e botuar, ku baladat jepeshin në vargje.
Isha ende nxënëse gjimnazi, ende e papërcaktuar për zgjedhjen e profesionit në jetë, por edhe më pas që u thellova e u specializova në folkloristikë, për mua emri i vërtetë i heroinës së baladës së besës, nuk është as Garentina, as Dhoqina, siç ka variante të baladave kudo ku këndohen ndër shqiptarë. Për mua emri i vërtetë i motrës së Kostandinit mbetet përherë Doruntina, sipas variantit që kishte zgjedhur Ismail Kadare.
“Gjenerali” ishte i pari dhe kushdo që e lexonte pak Kadarenë, për të fliste, por unë, mu për këtë fakt, i rezistoja leximit të tij. Kurrë nuk më kanë joshur shijet e përgjitshshme! Mahnitjen e radhës ma ofroi “Prilli” me Gjorgun dhe peshën psikologjike të jetës së tij, që i varej nga tharja e plagës së gjakut në këmishën e vëllait, e cila mbetej e ekspozuar në kulm të shtëpisë derisa ai ta merrte gjakun e vëllait. Sa shumë jetë kishte arritur të krijonte nga kodet e ngurta të Kanunit dhe sa të kapshëm e të kuptueshëm e kishte bërë atë për lexuesit. Herë herë të provokonte edhe me këndvështrime urbane, falë komenteve të karakterit të Diana Vorpsit, e cila e ardhur nga kryeqyteti në Malësi, në përballje me dukuritë e jetës kanunore, të ofronte mundësinë e vetidentifikimit e të pjesëmarrjes në ngjarjen e romanit. Çdo faqe e “Prillit”, ose më mirë çdo rresht, më bënte të dehem me gjetjet e shkrimtarit. Dhe dehja vazhdonte sepse unë në secilin roman gjeja tema të reja e trajtime unike. “Kështjella” ishte poaq mahntëse, sa edhe “Dosja H”, më pas “Eskili” me “Legjendat e legjendave” e me të gjithë të tjerët me radhë që pasuan në vazhdimësi.
Unë duke e lexuar Kadarenë, po rritesha intelektualisht e po aftësohesha për ta dashur e pëlqyer letërsinë, por edhe folkloristikën, siç më erdhi më pas. Zgjodha kështu ta studioj letërsinë dhe t’i shkoj hapave të këtij rrugëtimi. E kujtoj se dikur më pati rënë në dorë “Ftesë në studio” dhe edhe ky më pati mrekulluar me mënyrën si i qasej lexuesve, duke i ftuar në laboratorin e tij krijues. Sa herë që lexoja prej tij unë mrekullohesha. Rritesha. Por edhe e rrisja figurën e tij para meje, i jepja përmasa të një njeriu jo të zakonshëm, të një mbinjeriu, të cilit as kisha menduar ndonjëherë t’i afrohesha. Së paku fizikisht, jo njëherë. Ishte edhe kohë kur mundësia për ta takuar nuk të ofrohej , por as edhe nuk kisha kureshtje. Ai jetonte në një shtet të izoluar siç ishte Shqipëria atëherë, por edhe unë nuk kisha ndonjë psynim ta takoja. Për mua, që isha takuar me librat e tij, nuk e ndjeja aspak të nevojshme ta takoja fizikisht dhe madje as nuk i lidhja këto dy gjëra. Librat e tij ma plotësonin mjaftueshëm kureshtjen që kisha për shkrimtarin Kadare.
Erdhi koha e studimeve të magjistraturës kur unë duhet të përcaktiohesha për temën. E natyrshme që një temë që lidhej me librat e Kadaresë do të ishte ajo që më flinte më shumë. Zgjidhja më e përshtatshme më doli që të jetë një temë ku do të trajtoj elementet e folklorit në veprën e Kadaresë, meqë përveç që ai e kishte përfshirë dhe përpunuar në mënyrë të përsosur, isha edhe unë që po e orientoja rrugëtimin tim drejt folkloristikës. Epika, si më e përdorura prej tij në romane dhe novela, që e nënkuptonte prozën, më definoi titullin e projektit tim të temës së magjistraturës, e cila u bë “Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë”. Ndonëse ishte titull pune, i cili mund të kondensohej artistikisht e poetikisht për botim, i tillë i plotë edhe u botua. Punova në të për tri vjet, sepse prej fillimit deri te përfundimi ndërmjet më hyri periudha e luftës në Kosovë.
Madje dhjetëra faqet e para të dorëshkrimit në kompjuter më patën mbetur në kompjuterin e shtëpisë, të cilin e gjeta të demoluar kur u kthyem pas deportimit në Maqedoni. Atëherë çdo faqe e shkruaja një herë me dorë dhe pastaj e daktilografoja në kompjter dhe kjo teknikë më pati shpëtuar kur nuk e gjeta kompjuterin, sepse i gjeta dorëshkrimet. I ripërpunova e i rishkrova edhe shumë herë derisa e mbrojta temën më 2001, por botimin nuk arrita ta bëj para vitit 2004. Nuk ishin të lehta vitet e para të pasluftës as për botimet nga institucionet publike. Por, takimet ndërmjet shqiptarëve u lehtësuan. Ismail Kadare filloi të vijë në Kosovë dhe shqiptarët filluan të bëjnë çmos për ta takuar. Takimi me të u bë preferencë e përgjithshme, por unë nuk shquhesha për shijet e përgjithshme. Madje preferoja të mungoja aty ku ishin të gjithë. Ndoshta veprat nuk ia kishin lexuar, por shkrimtarin e kishin takuar shumë herë. Unë nuk i takova kurrë asaj kategorie. U ndjeva e plotësuar dhe e përmbushur mjaftueshëm duke e lexuar dhe studiuar Kadarenë, pa e pasë nevojën ta takoj ndonjëherë./KultPlus.com