5 Dhjetor, 2022 - 7:30 pm
Sot është Dita Botërore e Kafes Turke, e cila është regjistruar në listën e trashëgimisë botërore jomateriale të UNESCO-s që prej vitit 2013.
Ishte një nismë e shtetit turk, për të nderuar metodën më të vjetër të të bërit të kafes, pija më e famshme në të gjithë botën. Kafja turke nisi të bëhej në shekullin e 16-të dhe sot mban histori, rituale, por dhe është kthyer në një mënyrë të jetuari.
Përveç aromës më të fortë, kafja turke ka një mënyrë të vecantë përgatitjeje dhe shërbimi. Pasi piqet, bluhet shumë imët dhe zihet në xhezve (enë në formë konike me një bisht të gjatë).
Ndryshe nga shumë versione të tjera ajo nuk filtrohet dhe shërbehet në filxhanë të vegjël. Sa më shumë shkumë të ketë, aq më shumë vlerësohet kafja turke. Krahasuar me mënyra të tjera të përgatitjes së kafesë, ajo turke është më e shëndetshme dhe nëse konsumohet pa sheqer është një antioksidues i fuqishëm.
Pija e vlerësuar nga UNESCO, për të gjithë ata që e konsumojnë është më tepër se vetëm një pije. Ajo është një mjet i fuqishëm për të bërë bashkë njerëzit dhe për të përmirësuar lidhjet mes tyre. Siç thotë dhe një shprehje e vjetër në Turqi “Një kafe e mirë turke, do të kujtohet edhe pas 40 vitesh”./atsh/ KultPlus.com