21 Gusht, 2024 - 2:13 pm
Kalaja e Elbasanit gjatë këtij sezoni turistik po kthehet në një ndër monumentet më të vizituara për turistët vendas, por edhe të huaj.
Gjatë vizitës në këtë monument kulture turistët zbulojnë thesaret e një prej fortifikimeve më të vjetra të Shqipërisë.
Për shumë nga këta turistë, Kalaja e Elbasanit është një dritare në të kaluarën, ku historia dhe arkitektura bashkohen për të treguar rrëfimet e një qyteti që ka kaluar nëpër shekuj, duke ruajtur kulturën dhe traditat e tij.
Ndërsa ecin nëpër rrugicat e kalldrëmta brenda mureve të Kalasë, vizitorët mund të ndiejnë peshën e kohës dhe të imagjinojnë jetën e dikurshme të qytetit.
Lagja “Kala” është një pjesë e veçantë e qytetit të Elbasanit dhe përbën një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Ballkan. Më shumë se pesë shekuj më parë, kur ushtria turke mbante të rrethuar Krujën, një pjesë e kësaj ushtrie punonte për zgjerimin e kalasë ekzistuese të “Skampinit.”
Kalaja përfshinte gjithashtu garnizonet e ushtrisë turke, qendrat tregtare dhe zona të tjera jetike të qytetit.
Pas zgjerimit të qytetit dhe ardhjes së banorëve nga fshatra të ndryshëm, lagjet si “Shën Koll” dhe “Alejdine” u formuan jashtë mureve të kalasë, duke shtuar diversitetin e këtij vendi të veçantë.
Me vendim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, lagja “Kala” u shpall Lagje Muze, një nismë që ka sjellë restaurime të rëndësishme.
Shtëpitë karakteristike elbasanase janë restauruar, si dhe rrugët e kalldrëmta janë rivendosur në formën e tyre origjinale. Turistët sot mund të shijojnë ngushtësinë e rrugicave, ndërtimin karakteristik të shtëpive dhe portat masive me çekicat karakteristikë, të gjitha të ndërtuara për të ruajtur atmosferën e kaluar.
Brenda mureve të kalasë ndodhet varri i Kostandin Kristoforidhit, një figurë kyçe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, lagja ka qenë shtëpia e shumë intelektualëve dhe artistëve të shquar, si Aleksandër Xhuvani dhe Dhimitër Shuteriqi, që kanë kontribuar në pasurimin e kulturës shqiptare, si edhe kisha “Shën Maria”.
Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Kalaja e Elbasanit dhe monumentet e tjera të lashtësisë në qytet janë bërë një destinacion tërheqës për turistët./atsh/KultPlus.com