Kalaja e Gjirokastrës mirëpriti mbi 263 mijë vizitorë gjatë vitit 2024

16 Janar, 2025 - 11:06 am

Kalaja e Gjirokastrës, e shtrirë në një hapësirë prej 335 metra në kodër të qytetit, vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha sot se “Kalaja e Gjirokastrës kryeson listën e monumenteve kulturore, si siti më i vizituar për vitin 2024, ku mirëpriti plot 263,048 vizitorë, 21% më shumë krahasuar me 2023”.

“Një dëshmi e magjisë dhe historisë që ofron Gjirokastra”, tha Gonxhja.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të qytetit të gurtë.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme