6 Korrik, 2023 - 4:30 pm
Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1 qershor – 30 qershor 2023, kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Këtë qershor Kalaja e Gjikrokastrës pati 17.816 vizitorë vendas e të huaj, ose 8.235 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një rol të rëndësishëm në rritjen e vizitueshmërisë për muajin qershor, luajti edhe organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar.
Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj. Data e ndërtimit të këtij fortifikimi është ende e paqartë megjithëse përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.
Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot./KultPlus.com