6 Shtator, 2023 - 3:50 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se ka nisur puna për ndriçimin e Kalasë Mesjetare të Lezhës.
Ndriçimi i mureve të jashtme dhe i objekteve të brendshme me vlera arkitektonike, si dhe hyrja e kalasë, dëshmi e ngjarjeve të rëndësishme historike, do rifitojnë madhështinë dhe rëndësinë historike të këtij fortifikimi.
Projekti parashikon rizhvillimin energjitik dhe artistik me vëmendje të veçantë në elementet identifikuese të Kalasë së Lezhës, duke rritur tërheqjen e turistëve drejt kësaj zone.
Ky projekt do të përdorë teknologjinë e ndriçimit LED, duke përfshirë sisteme të automatizuara për të ndriçuar kalanë në mënyrë efikase.
Kalaja e Lezhës do jetë fortifikimi i radhës, që do ndriçohet pas asaj të Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës.
Kjo ndërhyrje bashkëkohore vjen falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës./atsh/KultPlus.com