24 Shkurt, 2024 - 3:52 pm
Bashkia e Elbasanit i ka dhënë një rëndësi të veçantë trashëgimisë kulturore me qëllim nxitjen më tej të zhvillimit të turizmit.
Një ndër to, është edhe Kalaja e Menglit, e cila përfaqëson një ndërtim ushtarak të realizuar në kohën e sundimit të perandorit Justinian.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja e ka cilësuar një xhevahir këtë kala në kodër të Menglit, ku edhe nga kjo lartësi kontrolloheshin plotësisht lëvizjet në rrugën Egnatia që kalonte në fundin e kodrës.
Nisur nga pozicionimi gjeografik, synohet që kalaja të shërbejë për forcimin e pikave turistike kudo ku ndodhen në Elbasan, me qëllim që turistët të njihen edhe me trashëgiminë kulturore të kalave të qytetit jo vetëm në fushë, por edhe në kodrina.
“Me krijimin e Agjencisë së re të Turizmit dhe Kulturës në bashki, nisëm t’i japim një rëndësi edhe të forcojmë pikat tona turistike. Xhevahiri më i ri që po i shtohet guidave tona turistike në Elbasan është Kalaja e Menglit, një nga më të vjetrat që ne kemi në Labinot-Fushë”, u shpreh Llatja.
Në këtë kuadër, ai theksoi se bashkia bashkë me Agjencinë e Turizmit dhe Kulturës ka ndërmarrë një nismë ku aktualisht punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve publike po punojnë për pastrimin dhe sistemimin e të gjithë vegjetacionit që rrethon këtë xhevahir të kulturës por edhe të arkeologjisë shqiptare, për ta vënë atë edhe në përdorim të turizmit.
Sipas tij “shumë shpejt kjo kala do të bëhet e aksesueshme për të gjithë turistët, si edhe ata që pëlqejnë ecjen, pasi ndodhet vetëm 25 minuta nga rruga kryesore”.
Kalaja e Mengëlit ngrihet mbi luginën e lumit Shkumbin në një lartësi prej 300 metra, dhe është e rrethuar nga kodra dhe male të Labinotit.
“Ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë destinacioneve tona turistike, patjetër kalaja fushore në qendër të qytetit është një nga destinacionet kryesore, por nuk i kemi lënë pas dore edhe destinacionet e tjera turistike, siç është “Ad Cuintum”, si edhe shumë të tjera për ta bërë guidën e Elbasanit të plotë”, pohoi Llatja.
Kalaja e Menglit përfaqëson një ndërtim tipik të arkitekturës bizantine të shek. V e.s.
Në formën e një shumëkëndëshi kjo kala përforcohet nga 8 kulla, që ndodhen në largësi të ndryshme nga njëra-tjetra në varësi të terrenit.
Prania e 8 kullave kushtëzohet nga fakti që ajo ndodhej pranë rrugës Egnatia, arteria kryesore për të kaluar në perëndim. /atsh/KultPus.com