10 Janar, 2023 - 11:15 am
Kalaja e Prizrenit pritet të bëhet me teleferik. Kështu njoftoi kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili tha se sot nënshkroi marrëveshjen me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe agjencinë Zvicerane Swiss-Contact.
Ai e cilësoi këtë si fillim të mbarë të vitit.
“Sot, së bashku me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe agjencinë Zvicerane Swiss-Contact, nënshkruam marrëveshje tripalëshe për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit”, shkroi në Facebook Totaj.
Ndërsa Liburn Aliu, përmes një statusi në facebook, është shprehur se përmes kësaj marrëveshje të përbashkët, u pajtuan që të bashkëpunojnë në zhvillimin e projektit “Ndërtimi i teleferikut në Kalanë e Prizrenit” me qëllim të zhvillimit të sektorit të turizmit në Prizren, kështu duke u zotuar se do të angazhohen që të kontribuojnë sipas kompetencave që i kanë për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetin e Prizrenit.
“U pajtuam që gjatë implementimit të këtij memorandumi, të shkëmbejmë informacione dhe të takohemi rregullisht të paktën një (1) herë në muaj për të vlerësuar dinamikat e zbatimit të memorandumit”, shkruan Aliu. / KultPlus.com